Inflacioni po vazhdon të rritet në Kosovë edhe në fillim të këtij viti. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma vjetore e rritjes së çmimeve në muajin shkurt ka arritur në 6 për qind. Shtrenjtimi është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, shërbimeve dhe transportit. Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se zhvillimet në Lindjen e Mesme mund të shtojnë presionin inflacionist, edhe në muajt në vazhdim
Inflacioni në Kosovë ka vazhduar të rritet në këtë fillimvit.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave norma vjetore e inflacionit në muajin shkurt ishte 6 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRritja e çmimeve, sipas ASK-së, është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore, shërbimeve dhe disa kategorive të transportit.
Zhvillimet gjeopolitike, veçanërisht lufta në Lindjen e Mesme, pritet të ndikojnë gjithashtu në lëvizjen e çmimeve në Kosovë edhe në muajt në vazhdim.
Konflikti në këtë rajon ka shkaktuar luhatje në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe transportit, duke rritur çmimin e naftës dhe kostot e furnizimit.
Ekonomisti Edison Jakurti thotë se në Kosovë çmimet shpesh fillojnë të rriten edhe para se të ketë rritje reale në tregjet ndërkombëtare.
“Kosova është shumë e varur nga importet, prandaj zhvillimet në tregjet ndërkombëtare ndikojnë shpejt edhe te ne. Rolin e luajnë edhe pritshmëritë në treg: nëse pritet që lufta në Lindjen e Mesme ta rrisë çmimin e naftës, shpesh çmimet fillojnë të rriten edhe para se të ketë rritje reale në tregjet ndërkombëtare. Nëse konflikti vazhdon dhe çmimi i naftës vazhdon të rritet, kjo do të ketë efekte zinxhirore në transport, prodhim dhe në çmime të tjera në ekonomi, duke shtuar presionin inflacionist edhe në Kosovë në muajt e ardhshëm”, ka thënë Jakurti.
Disa nga faktorët që ndikuan në shtrenjtim të produkteve në fillimvit, sipas Jakurtit, janë rritja e çmimit të energjisë që ka rritur koston e bizneseve, e që kjo është reflektuar në çmime më të larta për konsumatorët.
E të dhënat e ASK-së për muajin shkurt tregojnë se çmimet e ushqimit vazhdojnë të jenë një ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në inflacion.
Ato, sipas ASK-së, u rritën për 8 për qind në baza vjetore, ndërsa vetëm gjatë shkurtit u rritën për 1.3 për qind.
Mishi, pemët, perimet dhe buka e drithërat, janë disa nga produktet bazë që shënuan rritje.
Mishi i viçit u rrit për 23 për qind, nga 10.47 euro sa ishte në shkurt të 2025, çmimi sipas ASK-së u rrit në 12.90 euro për kilogram.
Rritje pati edhe te vezët, nga 3.32 në 4.16, por që është më i ulët se në janar kur ishte 4.77 euro. Edhe kafeja shënoi një rritje nga 14.52 në 16.12 euro.
Përveç ushqimit, rritje të mëdha janë regjistruar edhe te disa kategori të shërbimeve. Sipas raportit, një nga rritjet më të mëdha vjetore është regjistruar te shërbimet që lidhen me pajisjet personale të transportit, të cilat janë shtrenjtuar për 42.5 për qind.
Këto kategori shërbimesh kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e përgjithshme të kostos së jetesës.