Trajneri i Italisë, Luciano Spalletti, është paraqitur si shumë rigoroz. Ka pasur raportime që ai ka urdhëruar lojtarët të fikin videolojërat dhe të flenë më shumë. Sulmuesi Gianluca Scamacca, thuhet se u hoq nga skuadra në mars për shkak të obsesionit ndaj PlayStation të tij.
Por Spalletti shprehet pak më ndryshe.
“Nuk kam asgjë kundër asnjë loje”, tha ai të premten, një ditë para se Italia të fillojë mbrojtjen e titullit të Evropës.
“Përkundrazi, ne kemi krijuar një dhomë lojërash ku janë dy PlayStation të mrekullueshëm e modernë. Të gjithë shkojnë atje dhe luajnë”, ka shtuar selektori italian.
Por, Spalletti kundërshton që lojtarët e tij të luajnë videolojëra deri në orët e vona të natës. Sipas tij kjo ndikon në performancën e tyre në stërvitjen e nesërme. Dhe këtë nuk e lejon.
“Nuk mendoj se është e pranueshme që ata të jenë zgjuar deri në 3 apo 4 të mëngjesit. Ata thonë se janë mësuar kështu, se do të flenë në mëngjes. Jo, duhet të flenë natën”, ka vazhduar Spalletti.
“Ka psikoanalistë që e kanë vërtetuar këtë, profesorë në çdo pjesë të botës që japin indikacione për këtë. Ne duhet të sigurohemi që kemi mënyrë korrekte të jetës, që të mund të ofrojmë futbollin më të mirë”.
Italia synon të fillojë me futbollin më të mirë, që në ndeshjen e së shtunës ndaj Shqipërisë. Në letër Shqipëria është autsajder e grupit ku janë edhe Spanja e Kroacia.
Por, si Spalletti ashtu edhe kapiteni Gianluigi Donnarumma, paralajmëruan se Shqipëria është kundërshtare e vështirë. Ata folën në konferencat që u mbajtën në stadiumin e Borussia Dortmundit, ku luhet ndeshja të shtunën nga ora 21:00.
Spalleti, përdori fjalë emocionuese e nxitëse për të dërguar te lojtarët sinjalin se sa e rëndësishme është që Italia të paraqitet fuqishëm.
“Ne jemi ëndrra e secilit italian që mbante topin nën krah pas shkollës, që dilte për të luajtur futboll, që shkonte në shtëpi natën i lodhur, e i djersitur. Për bashkatdhetarët tanë ne jemi heronj, ne jemi gjigantë. Jemi ata që nuk guxojmë të mos japin 100 përqindëshin në fushë”, ka thënë Spalleti.
Kanë kaluar gati tri vjet prej se Donnarumma u hodh në krahun e majtë dhe ndali penalltitë e Jadon Sanchos dhe Bukayo Sakas, për të ndihmuar Italinë të fitojë finalen e ‘’Euro 2020’’, të mbajtur në vitin 2021.
Donnarumma, tani është kapiten i azurëve dhe bëri thirrje për bashkëlojtarët që të krijoj kujtime të reja.
“Evropiani i kaluar ishte përvojë e paharrueshme. Kemi shkruar histori dhe tani do të përpiqemi të shkruajmë një faqe tjetër në historinë tonë”, ka thënë Donnarumma.