Euro 2024

Spanja bazon te Yamali dhe Nico Williamsi shpresat për sukses

Euro 2024 - Spanja

Spanja do të jetë gjithnjë Spanjë – do të përpiqet që të mbajë topin larg nga këmbët e kundërshtarit duke luajtur me shumë pasime dhe duke mbajtur topin në zotërim. Por shpresat e Spanjës për ecuri pozitive në Kampionatin Evropian në Gjermani do të bazohen te dy sulmues të rinj dhe të shpejtë.

Lamine Yamal, i cili do të mbushë 17-vjet një ditë përpara finales së 14 korrikut në Berlin, do të jetë “bileta” e Spanjës për të shkuar larg. Yamalit duhet t’i ofrohet liria për të krijuar në krahun e djathtë. Te Barcelona në edicionin tashmë të përfunduar, Yamal ka dëshmuar se është i pandalshëm nëse mbetet me vetëm një mbrojtës.

Yamali u bë lojtari më i ri që shënoi në kualifikime për Evropian, në shtator. Ai më herët ishte bëri lojtari më i ri që u paraqit për Barcelonën, me 15 vjet, dhe po ashtu më i riu që realizoi në ligën spanjolle.

Yamal është i aftë të bëjë krosime e po ashtu të kalojë mbrojtësit dhe të godasë vetë. Duhet të ketë hapësirë të madhe, me mbrojtjet kundërshtare që do të kenë vendosje të gjerë. Në krahun tjetër të fushës do të jetë Nico Williams.

Williamsi ndihmoi Atletic Bilabon t’i japë fund pritjes prej katër dekadash për trofe, duke fituar Kupën e Mbretit. Shpejtësia e 21-vjeçarit në hapësirë dhe aftësia për të dribluar e bëjnë Williamsin vështirë të kontrolluar, njëjtë si Yamalin.

Sfidë për selektorin Luis de la Fuente do të jetë nëse Alvaro Morata nuk u përgjigjet topave që i vijnë. Sulmuesi i ka 34 gola në 71 ndeshje për Spanjën, por nuk ka shkëlqyer asnjëherë në ngjarjet e mëdha. Ai dështoi të realizonte për Atleticon në pjesën e dytë të edicionit.

Nëse Morata nuk është në topformë, atëherë De la Fuente do t’u kthehet Joselut të Real Madridit apo Mikel Oyarzabal të Real Sociedadit, që janë sulmuesit e vetëm tipikë në ekip. Apo ndoshta do të vendosë për “nëntëshen false”, Dani Olmo.

De la Fuente u beson lojtarëve që i kishte nën urdhra sa ishte te të rinjtë e Spanjës. Ekipin A e drejton nga dhjetori i vitit 2022.

Spanja është në grup të fortë me Italinë, Kroacinë dhe Shqipërinë. Pas dëshpërimit në “Botërorin 2022”, Spanja u kthye vjet, kur e fitoi Ligën e Kombeve. I dha fund pritjet 11-vjeçare për trofe.

Evropiani do të jetë turneu i parë që Spanja e luan pa asnjërin prej anëtarëve kryesorë të gjeneratës që fitoi Kupën e Botës 2010 dhe Evropianët 2008 e 2012.

Rodri, që ndihmoi Manchester Cityn të fitonte Championsin në vitin e kaluar, është lider i ekipit spanjoll. Pedri i Barcelonës kërkon të bëjë pasimet vendimtare në mesfushë, ku do të mungojë i lënduar Gavi.

Alejandro Grimaldo, lojtar i rëndësishëm te Bayer Leverkuseni, është opsion për krahun e majtë. Një tjetër adoleshent i Barcelonës, Pau Cubarsi (17), mund të marrë minuta në qendër të mbrojtjes. Ish-mbrojtësi i Cityt, Aymeric laporte, do ta testojë formën pas kalimit në ligën arabe. Unai Simon i Athleticos do të jetë në portë, në ngjarjen e tretë të madhe rresht.