Spanja e ka siguruar vendin e parë në grup. Por kjo nuk do të thotë se spanjollët ndaj Shqipërisë do të paraqiten të relaksuar. Këtë e ka bërë të qartë selektori Luis de la Fuente të dielën në konferencë për shtyp.
Shqipëria e Spanja përballen të hënën nga ora 21:00 në Duesseldorf. Shqipërisë i duhet fitorja për të avancuar.
“Ka shumë gjëra për të cilat luajmë nesër – prestigji, njohja dhe ne po ashtu duam të vazhdojmë të përmirësohemi. Do t’i qasemi ndeshjes si të gjitha të tjerave, sikur të jetë e fundit. Natyrisht, kemi planin e lojës për lojtarët që mendojmë se janë të duhurit për këtë ndeshje. Jemi të fokusuar në fitore pasi duam ta fitojmë secilën ndeshje”, ka thënë De la Fuente.
Spanja ka fituar të gjitha ndeshjet e deritashme me Shqipërinë. Ka impresionuar ndaj Kroacisë dhe Italisë në Gjermani dhe tashmë llogaritet prej favoriteve kryesore në “Euro 2024”.
De la Fuente ka thënë se janë të fokusuar të aktivizojnë lojtarët më të mirë për planin e ndeshjes që e përgatisin.
“Shqipëria ka tifozë fantastikë dhe tashmë ka bërë befasi këtu. E dimë që do të jetë shumë vështirë nesër. Do të bëjmë ndryshimet që mendojmë se janë të duhura. Kemi besim të plotë në të gjithë 26 lojtarët që janë këtu. Nuk është se unë nuk bëj gabime. Secili ka rastin e tij të luaj në nivel të lartë, kështu që jam i qetë për këtë”, ka theksuar De la Fuente.
Selektori spanjoll ka thënë se të gjithë lojtarët janë të përkushtuar dhe kanë synim të njëjtë. Ai është i bindur se të gjithë në kampin e Spanjës mendojnë vetëm për përfaqësuese.
Ka folur edhe për rrezikun që paraqet Shqipëria nga goditjet e dënimit.
“E dimë se sa e fortë është Shqipëria dhe secili ekip mund t’ju rrezikojë nga goditjet standarde. Por ne, po ashtu, kemi treguar se sa të fortë jemi, në sulm dhe në mbrojtje, në goditjet standarde. Ndeshjet mund të vendosen nga detajet. Duam të kontrollojmë këtë dhe të mos befasohemi nga goditjet standarde”, thotë De la Fuente.
Te Spanja janë të qetë para ndeshjes me Shqipërinë dhe të vetëdijshëm që mund të përmirësohen ende. Ndeshja me Shqipërinë u shërben spanjollëve edhe për përshtatje në situata të ndryshme në lojë.
“Jemi optimistë dhe kemi besim të plotë”, ka thënë selektori spanjoll.
Edhe Jesus Navas, njëri prej lojtarëve më me përvojë te spanjollët, ka konsideratë për Shqipërinë.
“Shqipëria është këtu pasi është paraqitur shumë mirë. Te Shqipëria kanë punuar fort dhe janë të bashkuar. Duhet të jemi të fortë nga minuta e parë për të arritur fitoren”, ka thënë Navas.