Nuk kanë mbetur shumë rekorde në futboll që Cristiano Ronaldo mund t’i vendosë. Por me t’u aktivizuar në Kampionatin Evropian në Gjermani, superylli portugez do ta vendosë rekordin e radhës. Do të bëhet futbollisti i parë që luan në plot gjashtë edicione të Evropianit.
Ronaldo tashmë mban rekordin për më së shumti paraqitje dhe më së shumti gola në Kampionate Evropiane. I ka luajtur 25 ndeshje në kampionatin kontinental, ndërsa i ka realizuar 14 gola.
Vetëm paraqitja në Evropianin e gjashtë është larg prej ambicies kryesore të 39-vjeçarit. Ai synon titullin e dytë me Portugalinë, pas atij që e fituan në vitin 2016.
Për sajtin zyrtar të UEFA-s, Cristiano Ronaldo ka folur për lidershipin e tij, pritjet nga Evropiani dhe madje edhe për përmirësimin e mëtejmë.
“Vit pas viti ne synojmë të përmirësojmë disa gjëra. Ka gjithnjë hapësirë për përmirësim. Mendoj se jam lojtar komplet, por ka gjëra që mund t’i perfeksionoj. Dhe me moshë, janë disa gjëra në të cilat nuk ishim aq të mirë në të kaluarën dhe fillojmë të humbim disa aftësi. Kështu që është me rëndësi të provosh të përshtatesh”, ka thënë Ronaldo.
Sipas Ronaldos, është shumë e rëndësishme që lojtari të përshtatet. Ai provon të bëj këtë.
Thotë se nuk është rastësi që luan për 20 vjet në nivelin më të lartë. Pranon se të mbahet niveli i lartë nuk është e lehtë.
“Vetëm me shumë përkushtim dhe punë të madhe mund të arrijmë këto shifra”, ka thënë portugezi i papërsëritshëm.
Sipas Ronaldos, lidershipi ka të bëjë me atë se kush jemi, si ndihemi dhe çka kemi mësuar gjatë karrierës.
“Unë mundohem të udhëheq në mënyrën që mendoj se është produktive. Dua të jem lojtar që i ndihmon të tjerët, dikush të cilin ata mund ta shikojnë dhe të jem profesionist i mirë. Më shumë se të flas dua të tregoj se kush jam, me paraqitje në fushë. Stili i lidershipit është personal, por në këtë ekip kemi shumë liderë në mënyrën e tyre. Dhe për këtë arsye mendoj se jemi ekip i shkëlqyer nacional”, ka theksuar Ronaldo.
Ronaldo ndihet krenar që bëhet lojtari i parë që luan në gjashtë Kampionate Evropiane. Thotë se kjo dëshmon jetëgjatësinë e karrierës së tij.
“Por ky është vetëm një kapitull në atë që Cristiano Ronaldo ka arritur në futboll. Jam i lumtur dhe ndihem i privilegjuar të ndihmoj ekipin nacional të arrijë synimin e tij. Dhe natyrisht të përpiqemi të fitojmë atë, që është synimi primar”.
Sipas Ronaldos, tifozët janë shumë të rëndësishëm për Portugalinë. Ka theksuar se energjia e tyre do të ketë ndikimin e vet në Gjermani.
Ronaldo është i bindur se ekipi aktual do t’i sjell shumë kënaqësi Portugalisë, duke nisur nga Evropiani në Gjermani.
“Gjenerata më e mirë e lojtarëve është ajo që fiton trofe. Shpresoj se kjo gjeneratë do të fitoj pasi është shumë e talentuar. Por talenti nuk mjafton. Shumë gjëra ndikojnë në një ngjarje të madhe. I kemi të gjitha elementet për të fituar, por do të shkojmë hap pas hapi. Ajo që arritëm në vitin 2016 ishte historike. Tani duhet të jemi me këmbë në tokë por me mendje të lartësuar dhe me bindjen që është e mundur ta fitojmë Evropianin”, ka thënë Ronaldo.