EXPRESS

Galeria hap letrat e dekadës së parë të saj

Hapja e arkivit të asaj që sot është Galeria Kombëtare e Kosovës është një rrugëtim jo vetëm në dekadën e parë të këtij institucioni prej vitit 1979 deri më 1989, por nëpërmjet dokumenteve e letrave për atë kohë krejt të zakonshme lexohet edhe historia e këtij vendi. “Të fala shoqërore”, ishte përshëndetja me të cilën përfundonte secila shkresë, por këtu janë rrënjët e artit institucional

Një fjalë përshëndetëse nga letrat e Galerisë Kombëtare të Kosovës të dekadës së parë të institucionit është bërë shkas për emërtimin e ekspozitës së radhës “Nga arkivi: Të fala shoqërore”.

Nga komunikime personale e deri te dokumentacioni zyrtar, materialet arkivore dëshmojnë rolin e institucionit të sapokrijuar kulturor më 1979 e deri te zhvillimi dhe vizioni për të, paralelisht me ndikimin e mendësisë patriarkale në skenën artistike.

Kuruar nga Hana Halilaj, kuratore e Galerisë Kombëtare të Kosovës, ekspozita “Nga arkivi: Të fala shoqërore” e hapur të enjten mbrëma, shfaq materiale për secilin vit të dekadës së parë të institucionit, prej vitit 1979 e deri më 1989.

Periudha të cilën e shpalos ekspozita me materialet arkivore korrespondon edhe situatën politike në Jugosllavinë e asaj kohe. Kuratorja Hana Halilaj ka treguar se fokusi ka qenë në letrat e shkruara.

“Materialet janë kryesisht të fokusuara ose prezantojnë shkëmbime dhe letra që janë më personale. Disa prej tyre kalojnë në dokumente administrative, por fokusi kryesor është në letra, që nga telegramet e dërguara deri te letrat e shkruara nga artistët, qofshin ato kërkesa, autorizime apo dorëshkrime të ndryshme rreth ndonjë ekspozite. Prej secilit vit janë të zgjedhura disa materiale të caktuara”, ka theksuar Halilaj.

Aty vërehet edhe qasja e shumë prej nismëtarëve të artit në vend e  vizioni për institucionin. 

“Ne e sjellim një qasje shumë personale midis drejtorit të atëhershëm, Shyqri Nimanit dhe artistëve, qasjen e tyre, kërkesat dhe pritshmëritë për Galerinë si institucion i ri në formim i skenës së artit. Janë edhe disa dokumente të drejtorit të atëkohshëm, Nebi Muriqi, që i japin një analizë apo kuptimësi të asaj se çfarë po ndodh këto vite, cilat kanë qenë ndikimet dhe qëndrimet e institucionit, por edhe të artistëve”, ka theksuar Halilaj.

“Të fala shoqërore” ishte fjala e përdorur në fund të secilës letër të dërguar nga artisti Nimani, drejtues i institucionit atëkohë. Edhe në letrën refuzuese për prezantimin e artistes Vokshi në institucionin që drejtonte me arsyetimin se ajo nuk ishte ende e përgatitur, ndonëse ishte në skenën artistike prej më shumë se një dekade.

E njohja e saj institucionale erdhi vonë, në vitin 2007 me ekspozitën e parë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Dokumentet, sikur edhe nga teksti kuratorial, theksojnë pengesat institucionale me të cilat përballeshin gratë në sistem patriarkal të artit.

Katalogët janë përzgjedhur nga Nita Salihu Hoxha dhe Bardhi Haliti, themelues të “REDO Prishtina”, me fokus në dizajn grafik.

Zëvendësuesja e drejtorit të Galerisë Kombëtare, Alisa Gojani, e ka konsideruar ekspozitën të rëndësishme në njohjen e rrënjëve të institucionit.

“Është një ekspozitë mjaft e rëndësishme, e cila prezanton dekadën e parë të Galerisë Kombëtare të Kosovës si institucion. Në të pasqyrohen materiale të rëndësishme arkivore të cilat janë dokumentuar nga ajo kohë. Gjithashtu me to janë të prezantuara edhe disa vepra të rëndësishme që kemi nga koleksioni i Galerisë. Jemi të lumtur që kemi arritur të përfshijmë edhe dy artiste gra, punët e të cilave janë nga blerja e fundit që e kemi zhvilluar, përvetësimi i veprave në Galerinë Kombëtare, e që është Alije Vokshi, gjithashtu grafika e Hyrije Krypës”, ka deklaruar Gojani.

Ekspozita qëndron e hapur deri më 30 nëntor.