EXPRESS

Giuffredi e Nicoletta me harmoninë e klarinetës dhe pianos

Kurorëzimi i këtij edicioni të Festivalit Ndërkombëtar të Klarinetës në Kosovë iu besua klarinetistit italian, Corrado Giuffredi, virtuozit të njohur globalisht me talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe zotimin që ia bën klarinetës. Udhëtimi i Giuffredit në botën e muzikës klasike është jo më pak se një itinerar i jashtëzakonshëm.

Por për publikun kosovar performances së tij, e cila u shënua nga një kombinim i rrallë i shkëlqimit teknik dhe kuptimit të hollë të muzikës iu bashkua dhe Federico Nicoletta, pianist italian, i përkushtuar me pasion në muzikën kamertale.

Mbrëmja nisi me një fantazi koncertale me “Rigoletton” e Verdit, nga Luigi Bassi, e cila paraqitej si një dinamizëm që lejonte klarinetën e Giuffredit dhe pianon e Nicolettës të prezantonin ornamente e variacione të ndryshme tingullore. Më pas radha qe për aktin e dytë me një fantazi tjetër, por kësaj radhe me “Tosca” të Puccinit nga Michele Mangani, e cila njëherësh qe dhe premierë dhe homazh për nder të 100-vjetorit të vdekjes së kompozitorit Giacomo Puccini.

Një pushim disaminutësh erdhi si një intermezo për të paralajmëruar pjesën e dytë të koncertit, për të cilën qenë rezervuar vepra të shekullit 20. “Sonata për klarinetë dhe piano” e Francis Poulenc nisi si një kompozicion i muzikës kamertale që i dha ngjyra errësirës që po mbizotëronte në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

“Rhapsody in Blue” nga George Gershwin qe sinjali se koncerti ishte drejt fundit, por jo një fundi dosido. Përmes kësaj vepre Giuffredi e Nicoletta transportuan për disa minuta publikun e pranishëm në New Yorkun e viteve ‘20, me një përqafim të klasikes, jazzit e bluesit. Vepra del si një kakofoni e orkestruar mjeshtërisht me brilancën e Gershwinit, i cili arrin që të kombinojë zhanret lehtësisht derisa krijon një peizazh muzikor të sofistikuar.

Për pritjen e ngrohtë që iu bë në Kosovë vetë artisti u shpreh shumë i kënaqur dhe veçoi entuziazmin e publikut prishtinas.

“Ishte një eksperiencë e mrekullueshme, është hera ime e parë në Kosovë. U kënaqa shumë me njerëzit, studentët e klarinetës dhe entuziazmin e tyre, dhe kjo do të thotë shumë për mua pasi që qëllimi i një artisti është t’i bëjë njerëzit bashkë përmes muzikës”.

Për repertorin e kësaj mbrëmjeje ai vetë ishte përkujdesur që të sillte diçka më speciale për publikun e Kosovës.

“Ky repertor që luajtëm sonte, është i parapëlqyeri im, sepse jam italian, andaj zakonisht e filloj koncertin me operën fantastike “Rigoletton” e Verdit. Kjo natë ishte speciale edhe për arsye e luajtëm premierë “Tosca” nga Michele Mangani, sepse këtë vit është 100-vjetori i vdekjes së Puccinit. Ndërsa në pjesën e dytë e trajtoj klarinetën me stilin e shekullit të kaluar, pastaj më pëlqen e gjithë muzika e shkruar për klarinetë, e cila i pëlqen dhe audiencës e rrjedhimisht dhe mbrëmja e sontme ishte spektakolare”.

Edhe për Federico Nicolettën, si shoqërues i Giuffredit në piano, Prishtina qe e ngrohtë që në fillim, e edhe salla ku luajti.

“Ishte fantastike dhe në fakt edhe salla me këto drita që i shkojnë pjesës së fundit që luajtëm ‘Rhapsody in blue’. Gjithashtu ishim të entuziazmuar të luanim për herë të parë ‘Tosca’ nga Michele Mangani, është gjithmonë një mister të prezantosh një pjesë të re, sepse nuk e di se a do ta pëlqejë audienca apo jo, por mendoj që u pëlqye, shpresoj!”.

Ndërkaq Malbora Krajku, nga Festivali Ndërkombëtar i Klarinetës në Kosovë, u shpreh e kënaqur me këtë edicion të katërt, si dhe me faktin se në këtë mbrëmje përbërja e publikut tejkaloi dhe kufijtë e Kosovës.

“Sot është nata përmbyllëse e edicionit të katërt të “International Kosova Clarinet Fest”, kemi arritur ta bëjmë një koncert fantastik të dyshes nga klarinetisti i mirënjohur Corrado Giuffredi, me shoqërim në piano nga Federico Nicoletta. Giuffredi vjen për herë të parë në Kosovë për të performuar dhe është mirëpritur nga publiku në të cilin kemi pasur mysafirë edhe nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe nga Sllovenia, që kanë ardhur enkas për të dëgjuar Giuffredin. Veçantia e kësaj mbrëmjeje, veç tjerash, ishte dhe luajtja e një vepre për herë të parë në karrierën tij, e që zgjodhi ta luante pikërisht në Kosovë”.

Performanca e Giuffredit dhe Nicolettës bashkë me repertorin e zgjedhur me përkushtim u pëlqyen mjaftueshëm nga publiku saqë i detyronin performuesit të ktheheshin në skenë tri herë radhazi nga duartrokitjet e ovacionet.