Sonte në “Express” ju sjellim një material nga nata e tretë e festivalit ndërkombëtar të vokalit, “Pri Vocal Fest”. Historia e Marias së Buenos Airesit që lind, jeton dhe rilind është zbërthyer me elegancë me operën e Astor Piazzollas, në inskenimin e së cilës mexosopranoja Flaka Goranci ka ardhur jo vetëm në rol kryesor, por edhe si regjisore e kostumografe. Me ritmet e zjarrta të tangos, aty krijohet një univers poetik, dramatik dhe emocional.
Po ashtu do të fokusohemi te festivali ndërkombëtar i fotografisë “Fotoist”. Agron Dragaj për kohë të gjatë nuk i është ndarë aparatit fotografik në gjurmim të fatkeqësive njerëzore të shkaktuara nga vetë njeriu apo natyra. Por atij nuk i intereson lufta, por pasojat e saj. E pasojat e trazirave të ndryshme vijnë në afro 50 shkrepje në ekspozitën personale. Në imazhin e tij, përherë mbijeton shpresa që i jep frymë jetës.
Përveç tjerash do të ketë dhe lajme nga skena botërore e showbizit me protagonistë yje si, Rihanna dhe Chriss Pratt.
Mos e humbisni edicionin e ri të “Expressit”, sonte në ora 18:00!