Aktori dhe regjisori Louis Mandylor, i njohur për rolet e tij në disa filma të famshëm në industrinë e Hollywoodit, do të jetë regjisor i filmit “The Liberation Army”, i cili është paralajmëruar si film i bazuar në një ngjarje të vërtetë. Tema e filmit që do të shkrihet në disa zhanre të ndryshme, si dramë aksion e romancë, do të fokusohet në disa periudha të luftës së vitit 1998-1999 në Kosovë. Aty do të trajtohet periudha e paraluftës, largimi i nxënësve shqiptarë nga shkollat, dëbimi nga puna i shqiptarëve, periudha e luftës si dhe paslufta.
Kjo narrativë do të bazohet në jetët e dy protagonistëve. Çiftin e ndan lufta e ribashkimi ndodh në New York. Në film do të trajtohen dhe ngjarje reale, të cilat përkojnë me realitetin e luftës. Masakra e Reçakut është njëra prej tyre.
Louis Mandylor tashmë ka ardhur në Kosovë.
Në konferencë për shtyp, ku është paralajmëruar ky projekt filmik, ishte e paraparë të jetë prezent edhe ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, si zëri i masakrës së Reçakut, pjesëmarrës në projekt. Ai është paraqitur në videolidhje.
“Ky film tregon një histori shumë interesante dhe të vlefshme, tregon një histori për Kosovën e paraluftës, gjatë luftës dhe pas saj, periudhën e Pavarësisë. Kosova është një shembull i jashtëzakonshëm i suksesit kur flitet për shtetet e reja dhe jo shumë njerëz dinë për të. Pra, ky film na njofton me këtë histori të Kosovës dhe se si keqtrajtoheshin shqiptarët sikur të ishin qytetarë të rangut të dytë. Çfarë ka ndodhur në Kosovë atëherë ka filluar të harrohet nga bota dhe, sipas meje, Kosova tani është vendi më demokratik në Evropë dhe kështu bota mund ta shohë nëpërmjet këtij filmi se çka në të vërtetë është Kosova”.
Për regjisorin e filmit kjo histori është shumë e fuqishme. Ka thënë se është i kënaqur që gjendet në Kosovë. Veprimtaria e tij artistike momentalisht fokusohet në filmbërje, andaj ky projekt ishte i mirëpritur nga ai. Ndër të tjera ka luajtur në triptikun e “My big fat greek wedding” dhe në një episod të serialit të njohur “Friends”.
“Mua me pëlqen të rrëfej histori të parrëfyera, të reflektojmë dhe të rikrijojmë jetë të cilat dikur janë jetuar, të tilla që kane vlera për njerizimin. Storia e këtij filmi është e bazuar në historinë e këtij vendi nga krenaria e deri te tmerret e luftës. Kjo storie më ka prekur dhe m’u është dukur shumë më ndryshe, është shumë afër zemrave te kosovarëve, andaj besoj se kemi një mundësi të mirë të shfaqim diçka të bukur: trimërinë dhe tmerret e dhunës. Normalisht do te ketë dhe aksion pasi që është film, pavarësisht se tema është e ndjeshme dhe serioze”.
Pjesë e këtij ekipi do të jetë dhe aktorja amerikane Kelly Lynn Reiter, e cila ka thënë se e ka pranuar ftesën duke qenë e vetëdijshme për rëndësinë historike dhe ndjeshmërinë që ka filmi.
“Kur kam folur me Fitimin për herë të parë kam kuptuar se leximi i një skenari që përmban një histori të vërtetë është e ndryshme nga të dëgjuarit e asaj rrëfenje direkt. Pasioni i Fitimit është ngjitës. Pasioni me të cilin flet ai për këtë histori na bën të gjithëve ta mbështesim këtë ide dhe duke e vendosur veten në atë pozicion sikur ata që e kanë përjetuar luftën në Kosovë. Më bën dhe mua të kem dëshirën e madhe që të gjithë ta dëgjojnë këtë histori. Jam shumë falënderuese që jam pjesë e këtij projekti dhe që mund të ndihmoj në arritjen e këtij synimi të Fitimit”.
Qëllimi kryesor i këtij filmi del të jetë fakti se Serbia në vitet e fundit ka realizuar 13 filma propagandistikë për luftën në Kosovë bashkë me dy sosh nga Rusia, andaj këtë film ekipi i kryesuar nga producenti ekzekutiv Fitim Krasniqi e sheh si mundësi të mirë për të treguar realitetin.
Filmi i cili pritet që të zgjasë dy orë do të xhirohet në Kosovë, Shqipëri dhe Amerikë. Sipas paralajmërimeve në konferencë, ka buxhet milionësh dhe një kastë prej 37 aktorësh, 15 nga Hollywoodi, ndërkaq pjesa tjetër do të përzgjidhen në Kosovë me audicione.
“Kemi filluar ta bëjmë këtë film që me i tregu botes se çka ka ndodhur në Kosovë vërtet. Kaluan 25 vjet, por ende nuk u pa në botë një prodhim i tillë, i cili tregon realitetin e luftës në Kosovë me vrasje, me dhunime dhe të gjitha. Unë vendosa të bëj një skenar, i cili i përfshin tri periudhat para, gjatë dhe pas luftës. Qëllimi im është që ky film të jetë shkak që Kosova të promovohet dhe që aktorët që do të jenë pjesë e këtij filmi t’u jepet mundësia që të luajnë në Hollywood”.
Xhirimet për filmin pritet të nisin në mes të vitit 2024, ndërkaq ende nuk është zbuluar lista e aktorëve pjesëmarrës e cila, sipas regjisorit, do të përfshijë emra të njohur të kinematografisë amerikane. Ky film synohet të shfaqet në mbi 65 vende të botës dhe 2000 kinema botërore.