Fejton - KOHA Ditore, 17 shkurt 2008

E hëna e parë me pavarësi

fejton

Shikim nga Brukseli (KOHA Ditore, 17 shkurt 2008)

Të dielën përjetuam shpalljen madhështore dhe Festën e Pavarësisë. Sot, të hënën e parë me pavarësi, i gëzohemi njohjes ndërkombëtare të saj. Për herë të parë në histori populli I Kosovës vendosi vetë

Bruksel, 16 shkurt 2008 - Kur të keni në dorë këtë numër të gazetës dhe ta lexoni këtë kolumne Kosova do të jetë e pavarur. Është dita e parë, e hëna e parë me Kosovën e pavarur. Më kanë pyetur shumë kolegë pse të dielën nuk jam në Kosovë. A nuk është për mua kjo datë më e rëndësishmja në jetë. Po, së bashku me 12 qershorin e vitit 1999, kur me trupat e NATO-s kalova Grykën e Kaçanikut dhe hyra në Kosovë pas shumë vitesh, 17 shkurti është dita më e rëndësishme.

Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar (jo vetëm nga Kosova) që nuk do të kishte dëshirë të ishte në Kosovë në Ditën e Pavarësisë. Por ja se sot jetojmë në globalizëm dhe ne shqiptarët po ashtu ndajmë të mirat dhe më pak të mirat e tij. Kësaj radhe nuk është vetëm Kosova që ka festë të madhe.

Gëzimi i Kosovës dëgjohet gjithandej nëpër botë. Brukseli, po ashtu, jo vetëm me faktin se është qytet ku ndodhen BE-ja dhe NATO-ja që luajtën rol kyç në rrugën drejt pavarësisë së Kosovës, por edhe me numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë në këtë qytet, të jep ndjenjën sikur të jetë kësaj radhe qytet kosovar. Në fakt, për nga numri i shqiptarëve, të cilët jetojnë në Bruksel ky kryeqytet i Evropës mund të jetë si një qytet mesatar i Kosovës. Dhe kështu ishte këtë fundjavë. Që nga orët e mbrëmjes të së shtunës e deri në orët e vona të së dielës rrugëve të qendrës së qytetit të Brukselit festohej me flamuj kombëtarë shqiptarë. Veturat kalonin me të rinj në delirium për pavarësinë e Kosovës. Qindra mija vetura të stolisura me flamuj shqiptarë, amerikanë dhe të shteteve të BE-së, marshuan edhe përskaj ndërtesave të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Kësaj radhe jo për të protestuar kundër dhunës në Kosovë, jo për të kërkuar ndërhyrjen e NATO-s, por për të shprehur falënderim ndaj tyre për atë që bënë që sot ta gëzojmë këtë ditë.

Në qendrën e Brukselit dhe nëpër rrugët e këtij qyteti po ashtu hidhej valle dhe këndoheshin këngë shqipe. Në internet shihet se njësoj ka qenë edhe në qytetet e Gjermanisë, në Londër, New York e madje edhe në Australi e Zelandë. Tërë bota e ka ndier gëzimin e shqiptarëve. Ishte ditë e gëzimit.

Në ekranet televizive transmetohet atmosfera festive nga Kosova. Dëgjohet në BBC se si „ushton gryka e Kaçanikut“ dhe kësaj radhe jo nga lufta kundër turqve apo serbëve, por nga vallja dhe këngët e shqiptarëve që pas mijëra vjet pritjeje më në fund kanë vendosur vetë se çka duan që të jetë Kosova. CNN ndërpret madje edhe Lari Kingun, i cili intervistonte kandidatin presidencial, John MacCain, për të lajmëruar se Kosova mori vendim të shpallë pavarësinë. Euronews po ashtu transmeton të njëjtat pamje, me qëllim të keq apo rastësisht, shkruan „Kaçanik, Kosovo, Serbia“. Por kjo mund të jetë hera e fundit, sepse Kosova sot as formalisht më nuk është Serbi. Pra, askund në botë ku ka shqiptarë ata nuk ishin larg Kosovës të dielën më 17 shkurt.

Dhe kështu, edhe pse nuk ishim në Kosovë, nuk mbetem pa festuar dhe pa ndarë gëzimin e madh për pavarësimin e saj. Por sot, të hënën, është dita e re. Shpalljen e pavarësisë e përjetuam. Tash përsëri edhe në Kosovë, pasi kanë festuar tërë natën, sytë dhe veshët do t’i kenë të kthyer nga Brukseli përsëri. Sepse në Bruksel do të ndodhë diçka që kurrë nuk ka ndodhur në histori. BE-ja do të “marrë në dijeni“ shpalljen e pavarësisë së Kosovës ndërsa vendet kryesore të saj do të bëjnë edhe njohjen e pavarësisë. E përjetimi i njohjes së pavarësisë është po aq i fuqishëm sa edhe përjetimi i shpalljes së saj, nëse jo edhe më i rëndësishëm. Ka disa popuj në botë që kanë shpallur pavarësinë, por nuk ka ndonjë, i cili ka fituar aq shumë mbështetje dhe njohje si Kosova. Kosova do të ketë shumë probleme dhe sfida. Ajo lind pothuajse si një shtet invalid me zona ku pushteti i saj nuk do të mbërrijë menjëherë.

Shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është e drejtuar kundër askujt, por është bërë për popullin e Kosovës, përfshirë edhe serbët. Por shumë shtete kanë lindur në kushte të rënda, edhe më të rënda sesa që lind shteti i Kosovës sot. Pas festave dhe gëzimit vjen këndellja, vjen koha për të punuar. Por sot është koha për gëzim dhe festë. Shtetet nuk lindin çdo ditë.