Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka marrë edhe një mandat si kryetar i Asociacionit të Komunave. Procesi i organizuar megjithatë u kritikua nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Tek ka falënderuar kryetarët e komunave dhe delegatëve të Kuvendit Zgjedhor, Aliu për mandatin e ri katërvjeçar ka thënë se do të shërbejë “për qytetarët dhe avancimin e pushtetit lokal si porta e parë e secilit qytetar”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdërkaq Partia Demokratike, pjesë e së cilës është Aliu, ka thënë se zgjedhja e tij është “dëshmi e qartë e performancës së tij si udhëheqës dhe e modelit të tij qeverisës”.
Megjithatë, procesi u kritikua nga Vetëvendosje dhe ministri Krasniqi.
Alban Hyseni, kryetar i Gjilanit nga radhët e VV-së, ka thënë se procesi zgjedhor është përcjellë me parregullsi të theksuara. Sipas tij, ka pasur koordinim të tri partive të tjera për të diktuar mekanizma të funksionimit. Ai ka akuzuar për shkelje statutare. Ai ka thënë se VV-ja dhe LDK-ja duhet të kenë peshën që u takon në udhëheqje dhe në Bord, duke marrë parasysh se të dyja udhëheqin me nga shtatë komuna.
“Ndonëse Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe LDK qeverisin me numër të barabartë komunash (nga 7), përmes manovrimeve me nënkriteret u krijua një pabarazi artificiale, duke favorizuar subjekte të caktuara dhe duke anashkaluar vullnetin e qytetarëve që ne përfaqësojmë. Në Kuvend morën pjesë anëtarë të deleguar arbitrarisht, e jo të zgjedhur nga Kuvendet Komunale siç e kërkon ligji dhe rregulloret në fuqi. Kjo e bën çdo vendim të marrë sot juridikisht të kontestueshëm. Për më tepër, gjatë këtij procesi pati përpjekje të qarta që Kryetari të kontrabandohet nga një subjekt i tretë, përmes manovrave procedurale dhe marrëveshjeve të parapërcaktuara, duke anashkaluar çdo standard të garës së hapur dhe të ndershme. Ndryshimet në rregullore dhe në bordin drejtues u bënë pa respektuar procedurat e parapara, duke e kthyer AKK-në në një mjet për interesa të ngushta partiake, në vend se të jetë zëri i të gjitha komunave pa dallim”, ka shkruar ai në Facebook.
Hyseni ka paralajmëruar ndjekjen e rrugëve zyrtare për të kontestuar procesin “ dhe për të kthyer ligjshmërinë në këtë institucion”.

Ndërkaq në një reagim më vonë, ministri Krasniqi ka thënë se ka shqetësime serioze për legalitetin dhe legjitimitetin e organeve të zgjedhura të Asociacionit.
“Edhe pse Ligji për Vetëqeverisje Lokale, përkatësisht nenet 31 dhe 32, përcaktojnë qartë të drejtën e komunave për t’u organizuar dhe bashkëpunuar në kuadër të asociacioneve për mbrojtjen e interesave të përbashkëta, ky organizim duhet të jetë mbipartiak dhe në shërbim të të gjitha komunave në mënyrë të barabartë. Procesi i sotëm në fakt shkel mbi këto parime dhe rregulla. Ai, fatkeqësisht, u karakterizua nga një sërë shkeljesh procedurale dhe devijimesh nga normat që rregullojnë funksionimin e Asociacionit. Për më tepër vu re një shmangie e qartë nga respektimi i procedurave të përcaktuara me Statutin dhe Rregulloren e Punës, duke cenuar kështu legjitimitetin dhe integritetin e vendimmarrjes”, ka shkruar ai.
Sipas Krasniqit, ka indikacione për përpjekje të organizuara që të përjashtohen kryetarët e komunave të udhëhequra nga një subjekt i caktuar politik.
Ai ka thënë se do të vlerësohet edhe raporti i bashkëpunimit me Asociacionin.
“Çdo bashkëpunim duhet të bazohet në parime të qarta të ligjshmërisë, gjithëpërfshirjes dhe paanshmërisë politike”, ka shkruar Krasniqi.
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) është formuar në vitin 2001 pas zgjedhjeve të para demokratike komunale në Kosovën e pasluftës. Themelimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës është mbështetur në nenin 10 të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale në kuadër të Këshillit të Evropës (e drejta për asociacion). AKK-ja është organizatë joprofitabile, është person juridik që i përfaqëson interesat e përgjithshme të anëtarëve të saj – autoritetet lokale. Anëtarë të Asociacionit janë autoritetet lokale të Kosovës. Autoritetet lokale anëtarësohen në Asociacion nga Kuvendi i Asociacionit pas vendimit të marrë në Kuvendin Komunal.