Kylian Mbappe ka arritur në shifrën e 60 golave në garën elitare për klube të futbollit, Ligën e Kampionëve.
Francezi Mbappe shkëlqeu të martën mbrëma në ndeshjen e xhiros së dytë të Ligës së Kampionëve, të cilën Real Madridi e fitoi 5:0 ndaj Kairat Almatyt në Kazakistan. Ylli i futbollit realizoi “hat-trick”.
Mbappe shënoi fillimisht në minutën e 25-të nga penalltia, ndërsa golin për 2:0 e realizoi në minutën e 52-të. Tregolëshin e kompletoi në minutën e 74-t.
Me 26 vjet e 284 ditë, Mbappe është lojtari i dytë më i ri që arrin shifrën e 60 golave. Vetëm Lionel Messi ishte më i ri kur e shënoi golin e 60-të në Champions. Argjentinasi i kishte 26 vjet e 86 ditë.
Cristiano Ronaldo regjistroi golin e 60-të me 29 vjet e 21 ditë, ndërsa Raul Gonzalez është i katërti në këtë listë, me 30 vjet e 237 ditë. Karim Benzema e Robert Lewandowski shënuan 60 gola si 31-vjeçarë.
Për 60 gola, Mbappes i janë dashur 89 ndeshje në Champions. Është i treti në këtë listë. Messi i shënoi 60 gola në 80 ndeshjet e para në Ligën e Kampionëve. Lewandowskit i janë dashur 85 gola, ndërsa Ronaldos 98. Benzema shënoi 60 gola në 111 ndeshje, ndërsa Rauli në 115 ndeshje.
Vetëm kjo pesëshe e jashtëzakonshme ka më shumë gola se ylli aktual i Real Madridit në garën elitare.
Ronaldo i ka 140 gola në 183 ndeshje. Messi i ka 129 gola në 163 ndeshje. Lewa ka 105 gola në 134 ndeshje. Benzema i shënoi 90 gola në 152 ndeshje në top-garën evropiane, derisa Rauli u ndal në 71 gola e 142 ndeshje.
Këtë edicion Mbappe i ka pesë gola në dy ndeshje në Champions. I shënoi dy gola në fitoren 2:1 ndaj Marseillet, në xhiron e parë. Në La Liga i ka tetë gola në shtatë ndeshjet e para dhe është kandidat i hershëm e i fortë për “Topin e Artë”.
Ashtu si pritej, Mbappe u shpall më i miri i ndeshjes me Almatyn.
“Nuk mund ta harrojmë çka ndodhi këtë javë. Nuk duhet ta harrojmë asnjëherë. Kjo është garë tjetër, por duhet të vazhdojmë të mendojmë se çka ndodhi dhe të punojmë që të jemi më të mirë dhe të shmangim mbrëmje si ajo”, ka thënë Mbappe.
Të shtunën Reali pësoi thellë, 5:2, nga Atletico në derbin e Madridit, të vlefshëm për La Liga.
“Puna ime është ta ndihmoj ekipin. Kjo është e tëra që mendoj. Bëj çdo gjë që mundem për ta ndihmuar ekipin të fitojë. Nëse shënoj gola, mirë. Por nëse ndihmoj ekipin në mënyra të tjera, atëherë sërish është mirë. E rëndësishme është që ekipi të fitojë ndeshje dhe trofe”, ka theksuar Mbappe.
Arda Guler asistoi në golin e fundit të Mbappes të martën mbrëma.
“Kemi lidhje të mirë. Ai është lojtar i ri me shumë kualitet, është talent i madh. Ne mundohemi ta ndihmojmë që të jap më të mirën për ekipin. Ai po luan shumë mirë tani dhe jemi të lumtur që e kemi në ekipin tonë”, ka thënë Mbappe.