Futboll

A ia qëlloi Rapidi me transferimin e Drilon Hazrollajt?

Drilon Hazrollaj

Rapid Bukureshti luajti ndeshjen e katërt miqësore në kampion përgatitore në Slloveni të dielën kundër ekipit nga Azerbajxhani, Sabah Baku. Ndeshja përfundoi baras 2:2.

Për skuadrën rumune ishte ndeshja e dytë testuese brenda 24 orëve të fundit, pas fitores 3:0 ndaj Aluminjit të shtunën.

“Drilon Hazrollaj, transferimi i parë i bërë nga Dan Suçu për sezonin e ardhshëm, duket se ka marrë përgjegjësinë e sulmuesit kryesor. Mbetet për t’u parë nëse ai do të jetë aq i mirë sa Albion Rrahmani, golashënuesi më i mirë sa ishte pjesë e Rapidit. Hazrollaj ishte titullar në ndeshjen kundër Sabah dhe ai shënoi një gol, por pari edhe një pasim vendimtar. Rrezikoi portën kundërshtare edhe në disa raste”, shkruan mediumi rumun “digisport.ro” të dielën.

Në shkrimin kushtuar Hazrollajt, mediumi rumun ka vazhduar me lëvdata për Hazrollajn.

“Deri më tani, kosovari, i cili iu bashkua Rapidit për 900 mijë euro, ka shënuar tre gola në katër ndeshje testuese, më saktësisht ndaj Buduçnostit dhe Aluminijit”.

Hazrollaj shënoi 11 gola me fanellën e Malishevës gjatë edicionit 2024/2025. 

Sezonin e kaluar kishte shënuar dukshëm më shumë gola. Kishte realizuar 28 gola në 36 ndeshje në Superligë dhe për Kupë të Kosovës.

Hazrollaj është prej lojtarëve që mund ë ftohet në të ardhmen te Kosova. Në disa grumbullime, emri i Hazrollajt ka qenë në listën rezervë të Kosovës. Për Hazrollajn është raportuar se është përcjellë edhe nga përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho.

Hazrollaj ishte grumbulluar në tri miqësoret që Kosova i luajti vitin e kaluar kundër Armenisë, Hungarisë dhe Norvegjisë. Por ai nuk u paraqit në asnjërën prej tri ndeshjeve. Ai nuk mori pjesë në kampin e Kosovës në janar. Kampi me kandidatë për vend te Kosova u mbajt në Prishtinë.

Rapidi më 11 korrik do ta zhvillojë ndeshjen e parë të edicionit 2025/2026 kundër Argesit në “Mioveni Arena”.

Hazrollaj është njëri prej shumë futbollistëve shqiptarë që do të paraqitet në edicionin 2025/2026 në Superligën rumune të futbollit. Ndikimi i tyre pritet të jetë po ashtu i madh.