Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, është konfirmuar si përzgjedhës i ri i Përfaqësueses së Brazilit në futboll.
Federata e Futbollit e Brazilit ka njoftuar të hënën se italiani 65-vjeçar do të marrë zyrtarisht drejtimin e Brazilit më 26 maj, pas përfundimit të edicionit në La Liga të Spanjës.
Ancelotti largohet nga “Santiago Bernabeu” si një nga trajnerët më të suksesshëm të klubit mbretëror.
Ancelotti fitoi 15 trofe gjatë dy periudhave si trajner i Real Madridit. Edicionin e kaluar me Madridin fitoi Ligën e Kampionëve dhe La Ligan.
Megjithatë, largimi i tij nga Reali vjen pas humbjes së “El Clasicos” të dielën. Reali mbetet shtatë pikë prapa Barcelonës në garën për titull, kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të edicionit. Gara për titull tashmë vlerësohet e humbur nga Reali.
Ancelotti do të bëhet trajneri i parë i huaj që do ta drejtojë përfaqësuesen e Brazilit. Ai do ta marrë drejtimin e pesë herë fituesit të Kupës së Botës para ndeshjeve kualifikuese për Botërorin e vitit të ardhshëm kundër Ekuadorit dhe Paraguait.
Federata e Futbollit e Brazilit e përshkroi Ancelottin si “një legjendë të lojës, si trajneri më i suksesshëm në historinë e futbollit”.
Në deklaratën e federatës braziliane të futbollit shkruan se për Brazilin është moment historik.
“Ky moment është historik. Bashkon dy ikonat – pesë herë kampionin e botës dhe një trajner me një bilanc të pakrahasueshëm në garat elitare të Evropës”, shkruan në njoftimin e së hënës. Brazili për kohë të gjatë e ka synuar Ancelottin si selektor.
“Federata e Futbollit e Brazilit shpreh mirënjohjen e saj të sinqertë për Real Madridin dhe presidentin Florentino Perez për ngrohtësinë dhe sportivitetin e treguar në lehtësimin e lirimit të trajnerit gjatë kohës kur ai ka kontratë valide, duke lejuar që ky kapitull i ri të fillojë me respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim midis ekipit dhe Federatës”.
Federata e Futbollit e Brazilit po ashtu ka falënderuar udhëheqësin e negociatave me Ancelottin dhe Real Madridin, Diego Fernandes.
“Federata mirëpret ngrohtësisht Ancelottin dhe pret me padurim një epokë të re suksesi nën drejtimin e tij”.
Ancelotti ka fituar pesë herë Ligën e Kampionëve, tri herë në dy periudha me Real Madridin dhe dy herë me Milanin. Ai po ashtu ka fituar tituj në Itali dhe Spanjë si dhe me Chelsean, Paris Saint-Germainin dhe Bayer Munichun.
Xabi Alonso, i cili do të largohet në fund të sezonit nga Bayer Leverkuseni, do ta zëvendësojë Ancelottin te Real Madridi.
Brazili është përfaqësuesja më e suksesshme në histori të futbollit. Brazili vazhdimisht është i mbushur me plot yje, por titullin e botës nuk e ka fituar që nga viti 2002. Në dy Botërorët e kaluar u ndal në çerekfinale.
Te Brazili janë të bindur se me Ancelottin në krye do të kthehen në krye të nivelit botëror.