Futboll

Autsajderët që shkruan histori

Autsajderët që shkruan histori

Edicioni 2024/2025 në futbollin evropian po shkon drejt fundit. Në disa vende tashmë kanë përfunduar garat e në disa janë xhirot e fundit. Liverpooli në Angli, Barcelona në Spanjë, Bayerni në Gjermani e Parisi në Francë kanë fituar titujt në katër prej pesë ligave të mëdha. Në Itali për titull po luftojnë Napoli e Interi.

Por te trofetë në këtë edicion garues kanë arritur edhe skuadra autsajdere. Disa prej tyre kanë shkruar histori vërtet të veçantë.

Më poshtë paraqesim disa prej tyre.

Go Ahead Eagles

Klubi nga qyteti Deventer shkroi histori këtë edicion duke e fituar Kupën e Holandës në futboll. Ky klub e kishte fituar trofeun e fundit në vitin 1933. 92 vjet më parë ishte kampion. Dhe për herë të parë këtë vit e ka fituar Kupën e Holandës në futboll. Në finale e mposhti pas gjuajtjes së penalltive skuadrën AZ Alkmaar. 

Në Holandë edhe gara për titull ishte e veçantë. PSV-ja festoi pasi Ajaxi lëshoi në mënyrë të pabesueshme epërsi prej nëntë pikëve.

Bologna

Bologna është një tjetër klub që ka fituar trofe pas një kohe shumë, shumë të gjatë. Bologna e mposhti 1:0 Milanin në finale të Kupës së Italisë. Bologna, që nuk llogaritet prej skuadrave të mëdha në Itali, ka shtatë tituj në Serie A. Të fundit e ka fituar në vitin 1964. Ndërkohë Kupën e Italisë e ka fituar tashmë tri herë. Fillimisht e kishte fituar në vitin 1970 e më pas në vitin 1974.

Newcastle United

Newcastle është skuadër dukshëm më e suksesshme se të gjitha skuadrat e tjera në këtë listë. Por trofeun e fundit e kishte fituar plot 70 vjet më parë. Para shtatë dekadash Newcastle e kishte fituar Kupën FA. Këtë vit e fitoi Kupën e Ligës angleze. Në finale e mposhti Liverpoolin, 2:1.

Titullin e fundit të Anglisë, Newcastle e ka fituar në vitin 1927. Kupën FA për herë të fundit e fitoi në vitin 1955. Ndërkohë Kupën EFL e fitoi për herë të parë këtë vit.
Newcastle tashmë është prej skuadrave të mëdha angleze.

Crystal Palace

I themeluar 119 vjet më parë, Crystal Palace më në fund ka një trofe të rëndësishëm të fituar. Skuadra ka pasur trofe të kategorive më të ulëta angleze dhe tashmë e ka në koleksion trofeun e Kupës FA.

Palace në finale e mposhti Manchester Cityn e Pep Guardiolas. City mbeti pa trofe për herë të parë pas shumë vjetësh. Ndërkohë Palace e fitoi trofeun e parë të madh në histori.

Harry Kane

Kapiteni i Anglisë, Harry Kane, nuk është autsajder, shkruan “20min.ch”. Ai nuk është autsajder sidomos me Bayernin, por, përkundër karrierës impresive, Kane nuk kishte trofe të fituar deri më tani.

Tashmë Kane ka trofe të rëndësishëm – titullin e kampionit të Gjermanisë. Kane dha kontribut të madh në kampanjën që përfundoi me titull të kampionit, duke i realizuar plot 26 gola.