Futboll

Bajraktarët e Pejës, binjakët që pritet të përfundojnë në klubin e Bundesligës

Erblin dhe Euron Bajraktari

Nga sistemi zviceran i futbollit vazhdimisht dalin lojtarë shqiptarë të talentuar. Shpesh në klube të caktuara zvicerane rriten edhe vëllezër shqiptarë, si vëllezërit Xhaka, Ajeti... 

Por më rrallë ndodh që të ketë binjakë në një skuadër. 

Në fundjavë është shkruar shumë për binjakët Erblin e Euron Bajraktari. Ata janë pjesë e klubit të njohur zviceran, Young Boys, ndërsa luajnë për ekipin U16. Në Zvicër janë të regjistruar me mbiemrin “Bajraktar”, por bëhet fjalë për djem të familjes Bajraktari, me prejardhje nga Peja.

Është eksperti i transferimeve të futbollistëve, Fabrizio Romano, që shkroi për binjakët Bajraktari, përkatësisht për mundësinë e transferimit të tyre te klubi i Bundesligës së Gjermanisë, Borussia Monchengladbach.

Erblini e Euroni janë 16-vjeçar, të lindur më 4 shkurt 2009. Janë të lindur në Zvicër. Në verën e kaluar kaluan tek ekipi U16 i Young Boysit. 

Të dy luajnë për Zvicrën U16. 

Në sajtin zyrtar të Federatës zvicerane, Euroni është i evidentuar si mesfushor. Te përfaqësuesja U16 i ka shtatë ndeshje. Si ish-skuadra të tij janë paraqitur Wunnewil-Flamatt e Central FR. 

Erblini në faqen zyrtare të Federatës zvicerane është i paraqitur si mbrojtës. I ka tetë paraqitje për Zvicrën U16. Ka kaluar në skuadra të njëjta si vëllai i tij binjak. 

Në fakt të dy luajnë në pozita të ndryshme, kryesisht në defanzivë.

Karrierën e binjakëve Bajraktari e menaxhon vëllai i madh i tyre, Edisoni.

“Karriera e tyre është duke u zhvilluar mirë. Tani është paraqitur oferta e Borussia Monchengladbachut, që është një klub i njohur për punën me gjenerata të reja. Ideja e drejtuesve të klubit gjerman është që Erblini e Euroni të fillojnë me ekipin U17. Jemi në bisedime, oferta është bërë. Por të shohim se çka do të ndodhë”, ka thënë Edison Bajraktari për KOHËN.

Ai ka treguar se binjakët nuk kanë kontratë me Young Boysin. Por pas interesimit të klubit gjerman edhe në klubin zviceran kanë nisur të lëvizin.

“Dy opsionet janë të hapura. Të kalojnë në Gjermani apo të qëndrojnë këtu në Zvicër. Varet se çka ofron Young Boysi, përkatësisht se a i shohin të rëndësishëm për të ardhmen. Tani varet nga ne, nga familja jonë se çka do të vendosim. Por nuk do të ngutemi”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se shkronja “i” në mbiemrin Bajraktari u është hequr gjatë regjistrimit në Zvicër “për ta pasur më të lehtë thënien e mbiemrit”.

“Mbiemri ynë është Bajraktari. Jemi nga Peja, nga Rugova. Mbajmë lidhje të fortë me vendin tonë. Babai ynë është larguar para luftës nga Kosova, ndërsa të gjithë fëmijët jemi të lindur në Zvicër. Por vijmë rregullisht në Kosovë. Tani po duhet që pushimin ta përshtatim me obligimet që kanë dy vëllezërit në karrierë. Deri më tani janë zhvilluar mirë dhe shpresojmë që të zhvillohen si duhet edhe në të ardhmen”, ka thënë Edison Bajraktari.

Mediat më të mëdha në Zvicër kanë shkruar për futbollistët Bajraktari. Fakti se luajnë për Zvicrën dëshmon për potencialin që kanë. Pritet që shpejt ata të dalin në skenën e madhe.