Me tri ndeshjet e zhvilluara të hënën është kompletuar xhiroja e 23-të e Superligës së Kosovës në futboll. Dhe gara për titull sa shkon e bëhet më interesante.
Të hënën pikë të rëndësishme lëshuan Ballkani, që ishte lider para kësaj xhiroje, dhe Prishtina. Kështu lidere e re është Drita e Gjilanit me 42 pikë. Drita të shtunën fitoi bindshëm ndaj Prishtinës së Re, 3:0.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMe rezultatin 3:0 humbi të hënën Prishtina në udhëtim te Malisheva. Prishtina është e treta me 37 pikë.
Në pjesën e parë të ndeshjes në Malishevë dallimin e bënë dy penallti. Fillimisht nga pika e bardhë shënoi Etnik Brruti në minutën e 26-të e më pas edhe Laurent Xhylani në minutën e 33-të.
Prishtina luajti pa kapitenin Ardian Limani prej minutës së 32-të. Ai u ndëshkua me karton të kuq.
Ndërkohë Xhylani shënoi tjetër gol në minutën e 73-të për 3:0.
Me fitore, Malisheva ka barazuar pikët me Prishtinën. E mban vendin e katërt.
Në udhëtim humbi edhe Ballkani. Pësoi 2:0 nga Llapi në Podujevë. Muhamet Hyseni shënoi për 1:0 në minutën e 17-të. Ndërkohë në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, Arbnor Ramadani bëri superasistim, kurse Edon Sadriu nuk lëshoi rastin për ta dërguar topin në rrjetë.
Llapi tani i ka 26 pikë në vendin e shtatë. Ka fituar pas shumë xhirosh. Ballkani ka rënë në vendin e dytë me 39 pikë.
Kreut të tabelës gradualisht po i afrohet edhe Gjilani. Me fitoren 2:1 të së hënës ndaj Ferizajt në udhëtim, Gjilani renditet i pesti me 36 pikë. Skuadra gjilanase ka tri fitore rresht.
Ndërkohë Ferizaj është thelluar edhe më shumë në krizë. Është në vendin e tetë me 23 pikë, vetëm një më shumë se Prishtina e Re dhe Drenica. Pozita e tetë në fund dërgon në plejaut. Dy pozitat e fundit dërgojnë në Ligën e Parë.
Armend Thaqi shënoi supergol në minutën e 22-të për epërsinë 1:0 të Gjilanit. Rezultatin në 1:1 e barazoi Ade Oguns në minutën e 40-të.
Ndërkohë Senad Jaroviq e shënoi golin e fitores për Gjilanin në minutën e 60-të.
Si rrallë ndonjëherë më parë, pas xhiros së 23-të lufta për titull dhe për mbetje në Superligë është plotësisht e hapur. Rrjedhimisht secila ndeshje e secila pikë vlerësohet shumë e rëndësishme.