Në La Liga po shkëlqen, por ndryshe u paraqit Barcelona në Ligën e Kampionëve, të enjten mbrëma. Barça mbeti herët me një lojtar më pak në fushë dhe humbi 2:1 nga Monaco.
Kohë për pushim për Barcelonën nuk ka. Skuadra që tani drejtohet nga Hansi Flick, menjëherë të dielën ka ndeshje të rëndësishme në La Liga. Luan në udhëtim te Villarreali, nga ora 18:30. Ndeshja i takon xhiros së gjashtë të kampionatit spanjoll.
Barcelona ka fituar pesë ndeshjet e deritashme dhe tashmë është shkëputur në tabelë. Atletico Madridi dhe Real Madridi i kanë nga 11 pikë pas xhiros së pestë. 11 pikë i ka edhe Villarreali në pozitën e katërt. Kështu që Barcelonën e pret punë goxha e vështirë. Villarreali ka pasur kohë të mjaftueshme për ta përgatitur ndeshjen me lideren e klasifikimit.
Real Madridi luan të shtunën nga ora 21:00, ndërsa e pret Espanyolin.
Skuadra tjetër madrilene, Atletico, të dielën nga ora 21:00 takohet me Rayo Vallecanon.
Mallorca e Vedat Muriqit, luan të hënën nga ora 21:00 ndaj Real Betisit.