Futboll

Barcelona konfirmon lëndimin e Koundes, pritet të mungojë ndaj Interit e Realit

Jules Kounde

Foto: Associated Press

Barcelona e ka konfirmuar lëndimin e Jules Koundes. Klubi nga Katalunja ka njoftuar se Kounde vuan nga një lëndim muskulor, të cilin e mori në barazimin 3:3 me Interin të mërkurën mbrëma, në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Championsit. 

Ai nuk pritet të jetë i gatshëm për lojë për duelin kthyes që luhet të martën në “Giuseppe Meazza” e madje rrezikon edhe përballjen me Realin në ligë më 11 maj.

Kounde e la fushën në minutën e 42-të. 

“Teste të tjera mjekësore janë bërë për Jules Kounden të enjten në mëngjes dhe ia ka lëndim muskulor në këmbën e majtë. Ishte ndeshja e tij e 53-të e edicionit”, ka shkruar ndër të tjera Barcelona. 

Kounde ka katër gola të realizuar e tetë asistime. 

Golin e fundit e shënoi në fitoren 3:2 pas vazhdimeve ndaj Real Madridit, në finalen e Kupës së Mbretit.

Edhe tek Interi mund të ketë mungesë për duelin kthyes.  Në dyshim për të luajtur është kapiteni i skuadrës, sulmuesi Lautaro Martinez.  Njësoj si Kounde, edhe Lautaro ka telashe muskulore.