Futboll

Me gol të Baftiut, Prishtina e fiton derbin ndaj Ballkanit

FC Prishtina

Foto: Shpend Ahmeti / FC Prishtina

Me golin e Blend Baftiut në minutën e nëntë të kohës shtesë, Prishtina ka regjistruar fitore të madhe në derbin ndaj Ballkanit. 
Ndeshjen e xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në futboll, që u zhvillua në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, Prishtina e fitoi me rezultatin 1:0.
Kur ndeshja po shkonte drejt përfundimit, Arbër Potoku u ndëshkua me të kuq, duke e lënë Ballkanin me një futbollist më pak në fushë. 
Epërsinë numerike të lojtarëve e shfrytëzuan kryeqytetasit. Baftiu në minutën e 96-të shënoi gol për 1:0. Me këtë rezultat edhe u mbyll ndeshja. 
Prishtina e drejtuar nga trajneri Arsim Thaqi e shënoi fitoren e katërt rresht dhe është shkëputur në tabelë. 
Tani Prishtina ka 19 pikë, katër më shumë se Ballkani i vendit të dytë, që u mposht për herë të parë në këtë edicion. 
Ballkani i trajnerit Orges Shehi kishte tri barazime e katër fitore në nisje të kampanjës, por u ndal në xhiron e tetë. 
Prapa Ballkanit në renditje është Dukagjini me 13 pikë. Drenica i ka 11 pikë në vendin e katërt, kurse Malisheva ka dhjetë pikë në vendin e pestë. Dukagjini e Drenica kanë nga një ndeshje më pak të luajtur.  
Me fitore të shtunën në pozitën e gjashtë është ngjitur Llapi i Tahir Batatinës me nëntë pikë. 
Drita me tetë pikë në vendin e shtatë, Gjilani me shtatë pikë në pozitën e tetë, dhe Prishtina e Re e Ferizaj me gjashtë pikë, janë në katër pozitat e fundit, e me një ndeshje më pak të luajtur.


Prishtina shënon në fund, Baftiu realizon ndaj ish-skuadrës

Prishtina ka shënuar gol në fundin e ndeshjes në derbin ndaj Ballkanit. 
Blend Baftiu realizoi ndaj ish-skuadrës, Ballkanit.  Prishtina triumfoi 1:0.

Prishtina realizoi pak çaste pasi Ballkani mbeti me një futbollist më pak në fushë, pas kartonit të kuq të Arbër Potokut.


Mbyllet baras pjesa e parë e derbit Prishtina – Ballkani

Pa gola është mbyllur pjesa e parë e ndeshjes derbi të xhiros së tetë të Superligës së Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Ballkanit. 
Në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, Prishtina e Ballkani nuk kanë shënuar gola, ndonëse rastet nuk kanë munguar. 
Në fillim të ndeshjes te Prishtina u lëndua rëndë qendërmbrojtësi Philippe Boueye, pasi ra keq në fushë. Stafi mjekësor ka ndërhyrë menjëherë, por ai është larguar me autoambulancë nga fusha. 
Në vend të tij është inkuadruar Leonat Vitija.


Boueye i Prishtinës lëndohet rëndë

Qendërmbrojtësi i Prishtinës, Philippe Boueye, është lënduar rëndë në fillim të ndeshjes në derbin ndaj Ballkanit. 

Ky ballafaqim po luhet në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. 

Boueye ra keq në fushë. Stafi mjekësor ka ndërhyrë menjëherë, por ai është larguar me autoambulancë nga fusha. 

Në vend të tij është inkuadruar Leonat Vitija. 

Rezultati në ndeshjen Prishtina – Ballkani është 0:0.