Mbrojtësi Conor Bradley nuk do të mund të luajë për Liverpoolin në pjesën e mbetur të edicionit, pas lëndimit shumë të rëndë në gju.
22-vjeçari ka lëndim të ashtit dhe ligamentit të gjurit, të pësuar në barazimin pa gola të enjten mbrëma në Premier League në udhëtim tek Arsenali.
Ai u rrëzua teksa ishte duke e ndjekur topin në kohën shtesë, afër vijës së autit.
Bradley do t’i mungojë edhe Irlandës së Veriut në gjysmëfinale të plejofit ndaj Italisë më 26 mars.
Pas lëndimit të Bradleyt pati edhe një incident mes lojtarëve të Liverpoolit e Arsenalit. E gjitha nisi kur Gabriel Martinelli i Arsenalit u mundua ta largojë atë nga vija kufizuese e fushës. Martinelli nuk ishte i vetëdijshëm në atë moment për lëndimin e rëndë të Bradleyt, ndërsa më vonë i ka kërkuar falje.