Ndeshja kualifikuese për Kupën e Botës 2026 ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, e zhvilluar më 7 qershor në Tiranë, përfundoi pa asnjë incident serioz. Shqipëria dhe Serbia luajtën baras 0:0.
Ndeshja kthyese ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë do të luhet më 11 tetor. Federata e Futbolli e Serbisë ndeshjen ndaj Shqipërisë vendosi ta organizojë në stadiumin e Cërvena Zvezdës “Rajko Mitiq” të Beogradit. Kapaciteti i stadiumit ish-Marakana është 51 mijë e 755 ulëse.
Për ndeshjen, që vlerësohet e rrezikshmërisë së lartë, ka folur të enjten Aleksander Çeferin. Ai theksoi se njerëzit që e përdorin këtë lojë për të përhapur idetë e tyre të padobishme duhet të qëndrojnë larg futbollit.
“Mesazhi im, jo vetëm për një ndeshje të caktuar, por për të gjithë është se futbolli dhe sporti duhet të jenë gjëja që bashkon njerëzit dhe jo ajo që i ndan. Duhet të përpiqemi të heqim qafe këta 'idiotë' që përdorin futbollin për ideologjitë e tyre absurde. Kudo, jo vetëm në një vend, por në të gjitha vendet. Sepse këta njerëz nuk e duan futbollin. Ata e duan vetëm veten dhe e përdorin futbollin për të përhapur idetë e tyre të padobishme”, ka thënë Çeferin para gazetarëve para mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë.
Në ndeshjen Shqipëri – Serbi kishte thirrjet antiserbe, por nuk u shënua ndonjë incident serioz. Kishte hedhje në disa raste, por pa u rrezikuar rrjedha e ndeshjes.
Përfundoi pa incidente, ashtu siç kishte përfunduar edhe ndeshja kthyese më 8 tetor 2015, në Elbasan. Serbia kishte fituar 2:0 ndaj Shqipërisë. Ndeshja ishte zhvilluar në masa shumë të rrepta të sigurisë dhe nuk u ka ngjarë ndeshjeve të zakonshme të kuqezinjve.
FSHF-ja ishte vlerësuar për organizimin e ndeshjes pa incidente. Nota pozitive mori edhe për ndeshjen në Tiranë. Federata e Futbollit e Serbisë kishte lavdëruar FSHF-në.
Lojtarët e Shqipërisë do të kthehen sërish të luajnë në Beograd.
Më 14 tetor 2014, në Beograd, lojtarët e Shqipërisë ishin sulmuar fizikisht nga huliganë serbë, lojtarë serbë dhe pjesëtarë të sigurimit, gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri për kualifikimet e “Euro 2016”.
Gjithçka nisi kur një dron me motive shqiptare fluturoi mbi stadiumin e Partizanit. Pas sulmit fizik, ku disa lojtarë të Shqipërisë u goditën me grushte, shqelma dhe gjësende të forta, ndeshja u ndërpre. Stafi dhe lojtarët e Shqipërisë u larguan me vrap drejt dhomave të zhveshjes.
Mënyra se si reaguan lojtarët e Shqipërisë apo shumica prej tyre i ka bërë të paharrueshëm në mesin e tifozëve shqiptarë.
UEFA e regjistroi ndeshjen 3:0 në të mirë të Shqipërisë, por vetëm pas një vendimi të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Ndeshja Serbia dhe Shqipëria nuk do të luajnë në stadiumin e Partizanit, por të Cërvena Zvezdës. Në stadiumin “Rajko Mitiq” të Beogradit, Serbia e luajti edhe ndeshjen kundër Anglisë të premten. Kishte edhe tifozë anglezë, por nuk do të ketë edhe tifozë shqiptarë, ashtu siç nuk kishte tifozë serbë të pranishëm në tribunat e stadiumit “Air Albania” në Tiranë, më 7 qershor.
Të mërkurën gazeta serbe “Alo” ka shkruar se ndeshja Serbi – Shqipëri mund të luhet pa shikues.
“Siç qëndrojnë gjërat, FIFA mund ta ndëshkojë sërish Federatën e Futbollit të Serbisë, dhe këtë herë jo me numër më të vogël të shikuesve, por stadiumi ‘Rajko Mitiq’ në Beograd do të mbyllet për ndeshjen kundër Shqipërisë”, ka shkruar të mërkurën gazeta serbe “Alo”.
Sipas mediumit serb, Federata e Futbollit e Serbisë pritet të dënohet për thirrjet “Kosova – Serbia” në ndeshjen Serbi – Angli e zhvilluar të martën mbrëma në Beograd.
Janë shpalosur edhe flamuj të Serbisë mbi hartën e Kosovës.