Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Çka tutje për Kosovën?

Kosova

Foto: Driton Paçarada

Kosova iu afrua shumë pranë Botërorit, por megjithatë nuk do të jetë në ngjarjen më të madhe sportive. Dhe tani synimi i madh do të jetë kualifikimi në Kampionatin Evropian të futbollit, atë të vitit 2028.

Kosova të martën mbrëma u mposht 1:0 nga Turqia në ndeshjen vendimtare për kualifikim në Botërorin që mbahet në verë në SHBA, Kanada e Meksikë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Lojtarët kthehen në klubet e tyre, vazhdojnë me ndeshje kampionale dhe ngadalë do ta kalojnë dëshpërimin që solli disfata në “Fadil Vokrri”.

Me shumë gjasë në qershor, para Botërorit, do të ketë miqësore. Është periudhë kur mblidhen të gjitha përfaqësueset. Për përzgjedhësin Franco Foda do të jetë mundësi për të testuar ndonjë emër të ri e po ashtu ndonjë skemë të re. Dhe menjëherë në shtator gjërat bëhen maksimalisht serioze.

Falë ngritjes së madhe të dy vjetëve të fundit, Kosova për herë të parë do të luajë në Ligën B të Ligës së Kombeve. Do të jetë në grup me Izraelin, Austrinë e Irlandën.

Pasi në grup dukshëm më të fortë, me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë, përfundoi e dyta, Kosova tani do të synojë ta fitojë grupin. Vendi i parë në grup do të siguronte avancimin në Ligën A të Ligës së Kombeve dhe me shumë gjasë mundësi shtesë për kualifikim në Evropianin e ardhshëm.

Më 24 shtator në “Fadil Vokrri”, Kosova e pret Irlandën. Menjëherë më 27 shtator luan në Vjenë ndaj Austrisë. Në të njëjtin grumbullim, përkatësisht më 1 tetor, do të jetë ndeshja me Izraelin në udhëtim. Menjëherë më 4 tetor është ndeshja në shtëpi ndaj Austrisë. Dy ndeshje të tjera janë në nëntor, më 14 ndaj Izraelit në shtëpi dhe më 17 nëntor ndaj Irlandës në Dublin.

Fokusi megjithatë do të jetë tek “Euro 2028” që mbahet në Mbretëri të Bashkuar dhe në Irlandë.

Shorti i kualifikimeve evropiane do të tërhiqet më 6 dhjetor të këtij viti në Delfast.

Do të formohen plot 12 grupe me nga katër apo pesë përfaqësuese. Kualifikimet do të zhvillohen gjatë vitit të ardhshëm, nga marsi e deri në nëntor. Fituesit e të gjitha grupeve do të kualifikohen në Euro 2028. Ndërkohë përfaqësueset që përfundojnë në vendin e dytë në grupe ose do të kualifikohen direkt ose do të shkojnë në plejof.

Sa i takon ekipit të Kosovës, nuk priten ndryshime të mëdha. Ndonjë edhe mund t’i jap fund karrierës ndërkombëtare.

Aktualisht janë pesë reprezentues në të tridhjetat. Por disa prej tyre janë bartës të lojës. Dhe ka pak gjasa që shumë lojtarë të heqin dorë vullnetarisht nga paraqitja me Kosovën, sidomos pas një kampanje shumë të suksesshme kualifikuese.

Përzgjedhësi Foda pritet ta drejtojë Kosovën edhe në Ligën e Kombeve e po ashtu në kualifikimet dhe potencialisht në Evropianin 2028. “Dora e tij” vërehet në ekipin aktual dhe FFK-ja vështirë se do të heq dorë nga bashkëpunimi me gjermanin.