Gazeta e njohur italiane “Corriere dello Sport” i ka kushtuar një artikull ndeshjes së sotme historike mes Kosovës dhe Turqisë.
Në shkrimin e saj, media italiane ndalet te rrugëtimi i veçantë i Kosovës, një përfaqësuese që përfaqëson më shumë se futboll. E ndërtuar mbi histori emigrimi, rikthimi dhe identiteti, kjo përfaqësuese përbëhet nga lojtarë të shpërndarë në të gjithë Evropën. Nga 23 të grumbulluarit, 13 kanë lindur jashtë vendit, ndërsa vetëm 10 në Kosovë, duke e bërë ekipin një përzierje të fortë të diasporës dhe rrënjëve vendase.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Përzierje rrënjësh, largimesh, rikthimesh dhe fëmijësh të shpërndarë nëpër Evropë. Kosova ëndërron Botërorin e saj të parë dhe sot ajo Amerikë nuk duket më aq e largët. Fitorja dramatike në Sllovaki, një 4-3 që i dha edhe më shumë peshë ambicieve, ka ndezur përfundimisht entuziazmin e një kombëtareje të re si shtet, por tashmë e pasur me histori, identitet dhe përkatësi. Më shumë se një kombëtare, Kosova është pothuajse një hartë gjeografike sentimentale. Nga 23 të grumbulluarit, 13 kanë lindur jashtë dhe vetëm 10 në vend. Zvicra, Gjermania, Suedia, Kroacia, madje edhe Belgjika: harta e Kosovës kalon nga aty, nga bijtë e diasporës të rritur larg, por që kanë mbetur të lidhur me një fanellë që për shumë prej tyre përfaqëson diçka shumë më të thellë se thjesht futbolli. Është një skuadër e ndërtuar mbi dy shpirtra: ai i atyre që kanë qëndruar dhe ai i atyre që janë larguar. Dhe ndoshta pikërisht kjo është pika e saj më e fortë”, shkruhet në artikull.
Në qendër të vëmendjes është edhe kapiteni Amir Rrahmani, i cili pavarësisht dëmtimit pritet të jetë pranë skuadrës për ta mbështetur në një nga sfidat më të rëndësishme. Artikulli thekson gjithashtu ndikimin e madh që ka Italia në këtë përfaqësuese, duke nisur nga vetë Rrahmani e deri te lojtarë të tjerë që kanë lidhje me kampionatin italian.
Në stol, trajneri Franco Foda përshkruhet si figura që mishëron më së miri identitetin “e përzier” të Kosovës. “Si futbollist dhe më pas si trajner, e ka bërë disiplinën markën e tij, por në Kosovë ka gjetur diçka ndryshe: një skuadër për t’u formuar jo vetëm taktikisht, por edhe emocionalisht. Ka qenë tashmë trajner i Austrisë në Euro 2020, por që nga viti 2024 është trajner i një dhome zhveshjeje ku bashkëjetojnë thekse, rrugëtime dhe shkolla të ndryshme futbolli, të bashkuara megjithatë nga i njëjti qëllim”.
Tutje në artikull thuhet se zemra teknike e skuadrës rreh sidomos mes sulmit dhe mesfushës së avancuar. Ish-lojtari i Lazios, “pirati” Vedat Muriqi, mbetet pika kryesore në sulm dhe fytyra më e njohur e grupit. Përkrah tij është talent i pastër si Edon Zhegrova i Juventusit, i lindur në Gjermani por i rritur edhe në Kosovë, një lojtar i aftë të ndezë fantazinë, por që mbeti në stol gjatë 90 minutave të gjysmëfinales kundër Sllovakisë. Në portë, portieri i Sassuolos Arijanet Muriq, në mbrojtje, Mërgim Vojvoda i Comos. Në mesfushë, përvojë dhe vrap me Valon Berishën, një tjetër bir i diasporës, dhe cilësi të shpërndarë në një skuadër që përzien fizikalitetin ballkanik me formimin e Evropës Qendrore.
“Corriere dello Sport” shkruan se nuk është rastësi që Kosova, edhe pse një realitet ende i ri në futbollin ndërkombëtar, ka ndërtuar tashmë një identitet të vetin. Nuk ka thellësinë e të mëdhenjve, por ka entuziazëm, intensitet dhe një motivim të veçantë. Për shumë nga këta djem, arritja në Botëror do të thoshte shumë më tepër sesa pjesëmarrje në një turne: do të ishte përmbushja e një identiteti sportiv dhe kombëtar ende në ndërtim. Dhe atëherë po, ëndrra është reale. Jo e lehtë, por reale. Kosova beson dhe mbështetet te 13 mijë tifozët e Prishtinës, por edhe te bijtë e saj të shpërndarë nëpër kontinent.