Futboll

Derbi i Gjilanit luhet për t’i ikur fundit të tabelës

Drita - Gjilan

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, ka pasur rezultate të luhatshme në shtatë xhirot e para të edicionit 2025/2026 të Superligës së Kosovës në futboll. Edhe më të vështirë e ka pasur Gjilani, që është i fundit me shtatë pikë. Një pikë më shumë në vendin e tetë është Drita, e cila ka dy fitore, dy barazime e tri humbje nga shtatë ndeshje. Gjilani ka dy fitore, një barazim e katër humbje.

Humbjen e fundit, Gjilani, e kishte ndaj Llapit. Me humbjen 4:1, Gjilani, largoi trajnerin Ardian Nuhiu, ndërsa derbin e xhiros së tetë të Superligës, do ta drejtojë trajneri i përkohshëm, Orhan Abdi.
Drita derbin e luan pas fitores ndaj Dukagjinit në Superligë dhe barazimit 1:1 ndaj KuPS-it në Ligën e Konferencës. Për Dritën ishte debutim në fazën e ligës në Ligën e Konferencës, garës së tretë të UEFA-s për nga rëndësia.

Derbi ndërmjet Gjilanit dhe Dritës luhet në fushën me bari artificial në Gjilan. Luhet nga ora 15:00.
Me derbin e qytetit të Gjilanit mbyllet edhe xhiroja e tetë e elitës së futbollit të Kosovës. Gjilani është vendës dhe rrjedhimisht do ta ketë edhe përkrahjen nga tribunat. Por trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani thotë se lojtarët e tij janë të motivuar për ta fituar derbin ndaj Gjilanit.

“Ky takim është i vështirë, i lodhshëm, por ka shumë motiv. Nuk ka ndeshje të lehta gjithmonë ka ndeshje të vështira, sidomos kur është derbi, është dy herë më i vështirë. Por derbi luhet për t’u fituar. Ne e dimë punën tonë, edhe pa trajner të ishte ekipi i Gjilanit ne e dimë punën tonë, ne e kemi synimin tonë. Ne i marrim tre pikë dhe tifozët tanë deri në derbin e ardhshëm janë kryesues të qytetit”, ka thënë Ramadani.

Ramadani ka theksuar se derbit vendosen nga detajet.

“Më intereson lojë motivuese nuk më intereson lojë e bukur. Më intereson angazhim maksimal dhe që është me rëndësi objektivi janë pikët e plota”, është shprehur Ramadani.
Trajneri Ramadani ka respekt për trajnerin në detyrë të Gjilanit, Orhan Abdi. Por ai pret angazhim nga lojtarët e tij.

Edhe Jorgo Pëllumbi ka folur për rëndësinë e fitores në derbi. 

“Më duket sikur kam shumë kohë këtu, është një kampionat me shumë talente. Pak na vështirëson fusha, infrastruktura, por jam falënderues për pritjen”, theksoi Pëllumbi.

Ndërkohë, trajneri i përkohshëm i Gjilanit, Orhan Abdi, pret nga ekipi maksimumin.

“Jam i vetëdijshëm se çfarë na pret nesër, një derbi i jashtëzakonshëm në Kosovë. Pavarësisht se si ka qenë ecuria e skuadrës në këto shtatë ndeshje, derbi mes Gjilanit dhe Dritës është një lojë e veçantë për të gjithë Kosovën, sidomos për Gjilanin. E dimë rëndësinë e lojës, por duhet të jemi të fokusuar, jemi gati për ndeshjen e nesërme”, ka thënë Abdi.