Futboll

Deshishku shkëlqen, Austria U17 siguron fazën nokaut të Botërorit

Hasan Deshishku

Talenti 17-vjeçar, Hasan Deshishku, ka shënuar gol të shtunën për Austrinë U17, që e ka siguruar fazën nokaut të Kampionatit Botëror në Katar.

Austria U17 fitoi 3:0 ndaj Malit, ndërsa Deshishku e shënoi golin e dytë në minutën e 62-të, pas një kundërsulmi të shpejtë.

“Po ndihem mirë, ishte goli i parë në këtë turne. Jam shumë i lumtur. Shpresoj të arrijë më shumë. Ne luajmë për të fituar. Fitore synojmë edhe në ndeshjen e tretë dhe të avancojmë tutje me tri fitore në po aq ndeshje. Uroj të bëj më shumë gola dhe asistime dhe ta ndihmoj skuadrën të fitojë. Jemi të sigurt se mund ta fitojmë Botërorin. Jemi si familje dhe kjo është gjë e mirë”, ka deklaruar Deshishku pas ndeshjes. Deshishku luan si sulmues i krahut. 

Për Austrinë U17 ishte fitorja e dytë në Kupën e Botës, pas asaj ndaj Arabisë Saudite 1:0. Suksesi vlerësohet historik pasi më herët austriakët e rinj nuk e kanë asnjëherë arritur fazën nokaut.

Të martën, Austria U17 luan ndaj Zelandës së Re.

Austriakët i prin Grupit L me gjashtë pikë në dy ndeshje.