Një pjesë e parë katastrofale me Zvicrën u shndërrua shpejt në “energji” drejt kampanjës bindshëm më të mirë deri më tani. Humbja në finale të plejofit shpresohet të shndërrohet në forcë shtytëse drejt paraqitjes në ngjarjen e parë të madhe.
Në fakt, më shumë se me “finale të humbur”, rrugëtimi i Kosovës në kualifikimet për Botërorin 2026 përfundoi me “finale të arritur”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKosova ishte autsajdere e grupit kualifikues për Botëror. Për short ishte në vazon e katërt. Zvicra ishte në vazon e parë, Suedia në të dytën e Sllovenia në të tretën.
Dukej që vazot do të ishin tregues i mirë kur Zvicra i shënoi plot katër gola në pjesën e parë të ndeshjes së 5 shtatorit në Basel. Por nuk ndodhi kështu. Që në pjesën e dytë të asaj ndeshjeje, që përfundoi 4:0 për helvetikët, Kosova dha sinjale pozitive.
Dhe menjëherë më 8 shtator fitoi 2:0 ndaj Suedisë në “Fadil Vokrri”. Pasoi barazimi pa gola me Slloveninë, po në Prishtinë, më 10 tetor. Erdhi tjetër fitore, 1:0, në udhëtim ndaj Suedisë më 13 tetor dhe ajo 2:0 ndaj Sllovenisë në Lubjanë, më 15 nëntor. Kampanja e rregullt u përfundua me barazim 1:1 me Zvicrën në “Fadil Vokrri”, më 18 nëntor.
Zvicra e para me 14 pikë, Kosova e dyta me 11, Sllovenia e treta me vetëm katër pikë dhe Suedia e fundit me vetëm dy pikë. Kjo ishte renditja në fund. Pra jo si në vazo të shortit.
Zvicra u kualifikua direkt në Botërorin që prej 11 qershorit mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë.
Kosova, si e dyta, siguroi plejofin. Një sukses pak i besuar në fillim të kualifikimeve, e sidomos pas pjesës së parë të ndeshjes në Basel.
Ecuria fantastike vazhdoi të enjten e kaluar me fitore 4:3 ndaj Sllovakisë në Bratislavë. Kështu u sigurua finalja e plejofit. Por Turqia, të martën mbrëma, doli të jetë e papërballueshme. Në fakt ndeshja ishte thuajse e barabartë, ndërsa dallimin e bëri një gol i Turqisë në minutat e parë të pjesës së dytë.

Një moment “i ligë” i lojtarëve të Kosovës në fushë ishte vendimtar. Turqit e dërguan topin shpejt në zonën “dardane” dhe më pas edhe në rrjetë. Topi kaloi lehtë mes lojtarëve të Kosovës. Kishte vonesë, vendosje të keqe, largim nga skena dhe elemente të tjera që kushtuan me gol të pësuar. Dhe shifrat më nuk ndryshuan.
Në fund kishte festë pasionante të turqve në fushën e “Fadil Vokrrit” dhe dëshpërim e duartrokitje për lojtarët e Kosovës.
Derisa te lojtarët dëshpërimi vërehej qartë, duartrokitja e tifozëve është shenjë e besimit ndaj ekipit. Dhe shpresë e madhe për të ardhshme edhe më të suksesshme.
“Kemi provuar dhe kemi dashur të kualifikohemi për Kupën e Botës. Ishte e mundur ndaj Turqisë për 90 minuta dhe jam krenar për ekipin. Mendoj se i gjithë ekipi e ka prezantuar Kosovën në mënyrën më të mirë. Në këtë mënyrë ne do të ecim para”, ka thënë selektori Franco Foda.

Ai vlerësohet për punën që po e bën te Kosova. Ndryshimi në sistem pas pjesës së parë të ndeshjes së parë ndaj Zvicrës doli vendimtar. Dhe fitoret e barazimet rresht bënë që entuziazmi të rritet vazhdimisht.
Entuziazëm e po ashtu eufori kishte gjatë gjithë të martës në Kosovë. Festa kishte nisur që në orët e mëngjesit. Sheshet e Prishtinës ishin përplot. Ka pasur flamuj, këngë e valle. Ka pasur edhe tifozë të shumtë të Turqisë, ndërsa nuk është raportuar për ndonjë incident serioz.
Shpresa ishte e madhe për sukses, por në fund në shprehje erdhi niveli individual i lojtarëve.
Një finale e humbur gjithnjë shoqërohet me dëshpërim. Por për Kosovën më shumë se me dëshpërim ka të bëjë me shpresë për të ardhmen.