Futboll

Dhjetë yjet e Botërorit të klubeve

Ousmane Dembele

Në Kupën e Botës për Klube do të ketë edhe yje të konfirmuara të futbollit.

Ousmane Dembele do të jetë i pranishëm te PSG-ja dhe është njëri prej pretendentëve kryesorë për ta fituar “Topin e Artë”. Ndeshjen e parë, PSG-ja e luan të dielën ndaj Atletico Madridit.

Kylian Mbappe është fituesi i “Këpucës së Artë” dhe nuk mund të mungojë në këtë listë. Sulmuesi i Real Madridit synon që të shkëlqejë edhe në këtë Botëror dhe ta fitojë trofeun. Nuk do të jetë Cristiano Ronaldo, por Lionel Messi do të jetë i pranishëm me Inter Miamin.

Ai pritet të shkëlqejë edhe në këtë garë me ish-yjet e Barcelonës, Luis Suarez, Sergio Busquets dhe Jordi Alba.

Erling Haaland i Manchester Cityt është prej golashënuesve më të mirë në Evropë aktualisht. Mbetet të shihet cila do të jetë paraqitja e tij dhe e Cityt në përgjithësi.

Antoine Griezmann vazhdoi me Atletico Madridin dhe pritet ta ketë fjalën kryesore për skuadrën e tij në këtë Botëror të klubeve.

Tjetër sulmues i spikatur është Harry Kane, sulmuesi i Bayern Munichut.

Me 45 gola në 55 ndeshje, Kane është konfirmuar si njëri prej sulmuesve më të mirë në botë. Nga lojtarët e tjerë që mund të shkëlqejnë në këtë Botëror janë edhe Cole Palmer, Angel Di Maria, Lautaro Martinez e Sergio Ramos.