Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Edicioni i ëndrrave i Muriqit rrezikon të kthehet në dështim për Mallorcan

Mallorca

Edicioni që po i afrohet fundit, është bindshëm më i miri në aspektin individual për Vedat Muriqin. Sulmuesi kosovar i ka plot 22 gola në La Liga, vetëm dy më pak se Kylian Mbappe, që është realizatori më i mirë i elitës spanjolle. Gjatë edicionit, Muriqi ka vendosur disa rekorde të Mallorcas dhe po synon edhe të tjerë. Të mërkurën, 32-vjeçari u përfshi në ekipin më të mirë të edicionit në La Liga, krah Lamine Yamalit dhe Kylian Mbappes.

Derisa Yamal e Mbappe luajnë për dy skuadrat e para në tabelë, Barcelonën e Real Madridin, Muriqi luan “vetëm” për Mallorcan.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dhe edicioni historik i Muriqit po rrezikon të shndërrohet në dështim për Mallorcan.

Dy xhiro para fundit të kampionatit në Spanjë, Mallorca është në vendin e 18-të me 39 pikë. Kjo pozitë në fund dërgon në kategorinë e dytë. 39 pikë i ka edhe Elche në vendin e 17-të dhe Levante në vendin e parafundit. Vendi i 17-të siguron mbetjen në La Liga.

Situata u rëndua për Mallorcan pas barazimit 1:1 të Gironas me Real Sociedadin, të enjten mbrëma.

Girona e fitoi pikën e 40-të dhe doli në vendin e 15-të. 40 pikë i ka edhe Alavesi në vendin e 16-të. Në fakt gara për të shmangur rënien nga La Liga është shumë e fortë dhe me shumë skuadra pjesë të saj. Vetëm Oviedo është pa gjasa.

Pos skuadrave me nga 39 e 40 pikë, të rrezikuara dy xhiro para fundit janë edhe skuadrat me 42 e 43 pikë. Pra gjysma e ligës.

Por Mallorca është në mesin e skuadrave me pozitën më të vështirë. Fati i skuadrës së Muriqit mund të përcaktohet në ndeshjen e xhiros së parafundit. Të dielën nga ora 19:00, Mallorca luan në udhëtim ndaj Levantes. Ndeshjet në udhëtim kanë paraqitur shumë problem për skuadrën e Mallorcas.

Mallorca e kërkon rastin në Levante, por edhe Levante e vendit të parafundit e kërkon rastin ndaj Mallorcas. Skuadra që shënon fitore do të bëjë hap vendimtar drejt qëndrimit në ligë. Në xhiron e fundit Mallorca e pret Oviedon e fundosur. Por fitorja ndaj saj mund të mos mjaftojë në fund.

Muriqi luan për Mallorcan nga janari i vitit 2022. Ishte edicioni kur skuadra nga ishulli u kthye në La Liga. Prej atëherë Mallorca përfundoi e 16-ta, e nënta, e 15-ta dhe e dhjeta. Aktualisht është vetëm e 18-ta, me shpresë se do të dalë të paktën në vendin e 17-të.

“Mallorca vjen në momentin kyç me bindjen se uniteti mes ekipit, klubit dhe tifozëve do të jetë vendimtar. Pasi shpirti i Mallorcas është vazhdimisht prezent. Pasi asnjëherë nuk dështon”, shkruan në një ftesë që Mallorca u ka bërë tifozëve për përkrahje.

Pozita e Mallorcas dëshmon se skuadra nuk ka përfituar sa duhet nga golat e Muriqit. Të kesh një lojtar me plot 22 gola dhe të jesh në zonë të rënies, është dëshmi që skuadra nuk ishte në nivelin e Muriqit.

Rënia eventuale e Mallorcas do të mund të hapte horizonte të reja për Muriqin. Fenerbahçe më herët ka njoftuar se ka marrëveshje personale me kosovarin. Barcelona është përmendur si klub i ardhshëm i mundshëm i “Piratit”. Muriqi ka përsëritur shumë herë se ndihet mirë te Mallorca. Por me formën e këtij edicioni vështirë se do të pajtohej të luante vetëm në kategorinë e dytë të Spanjës.