Rekordmeni për triumfe në Kupën e Afrikës, Egjipti, përballet me Afrikën e Jugut të premten, në betejën e parë të titanëve në edicionin 2025 të shfaqjes kryesore të Konfederatës Afrikane të Futbollit.
Përgatitjet e Egjiptit për Kupën e Afrikës mbetën në hije të përplasjes që ylli i kësaj përfaqësuese, Mohamed Salah, kishte me Liverpoolin. Megjithatë Egjipti mbetet prej favoritëve për triumf në ngjarjen që po mbahet në Marok.
Afrika e Jugut ishte forcë e re në kontinent në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, por ka mbetur në harresë në vitet e fundit. Pritjet megjithatë mbesin të mëdha dhe një fitore eventuale ndaj Egjiptit do të rriste entuziazmin në Afrikën e Jugut.
Ndeshja Egjipti – Afrika e Jugut zhvillohet të premten nga ora 16:00 në Agadir.
Te Egjipti kanë thënë se Salah është plotësisht i fokusuar për ta ndihmuar përfaqësuesen që të triumfojë në Kupën e Afrikës. Salah ishte dy herë nënkampion i Kupës së Afrikës, në vitin 2017 dhe 2021, por nuk ka titull ndërkombëtar në karrierën e tij shumë të suksesshme.
Në ndeshjen e xhiros së parë ai e shënoi në minutën e 91-të golin e fitores 2:1 ndaj Zimbabvesë. Me rezultatin 2:1 fitoi edhe Afrika e Jugut ndaj Angolës. Ishte hera e parë në 21 vjetët e fundit që jug-afrikanët e hapën me fitore kampionatin kontinental.
Grupi B është vlerësuar grup i vdekjes, duke parë edhe rritjen e Angolës dhe ringjalljen e Zimbabvesë. Dy të parët e të gjitha gjashtë grupeve avancojnë në fazën nokaut, bashkë me katër përfaqësueset më të mira të gjashtë grupeve sa janë në total.
Egjipti synon fitore për të siguruar avancimin në fazën nokaut që në ndeshjen e dytë.
Egjiptianët e kanë fituar plot shtatë herë Kupën e Afrikës, të njohur si AFCON. Por suksesin e fundit e kishin në vitin 2010. Duket pak befasi që me Salahun në përbërje, Egjipti nuk ka triumfuar në kampionatin kontinental.
Në vitin 2017, Egjipti humbi 2:1 në finale nga Kameruni. Në vitin 2021, Egjipti e humbi me penallti finalen nga Senegali. Edicioni i kaluar i Kupës së Afrikës ishte në vitin 2023. Bregu i Fildishtë e fitoi 2:1 finalen ndaj Nigerisë.