Dy zemra rrahin në krahëror, por futbollisti duhet ta zgjedhë një shtet. Breel Embolo, që u lind në Kamerun dhe u rrit në Zvicër, rrëfen historinë e tij
Breel Embolo e kaloi fëmijërinë në Kamerun. U lind në kryeqytetin, Yaounde, në shkurt të vitit 1997. Megjithatë, sulmuesi i Përfaqësueses së Zvicrës nuk ka shumë kujtime nga fëmijëria. Breel ishte trevjeçar kur nëna e tij u largua nga Kameruni dhe lëvizi drejt Zvicrës.
“U desh të kalonin dy vjet para se ta shihja atë sërish”, kujton Embolo. “Më pas më lejuan që ta lë Kamerunin dhe ta shoh nënën time sërish. Nuk e dija se ku po shkoja ose se si dukej Zvicra. Gjëja më e rëndësishme ishte që të mund ta shihja nënën sërish”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoArsyeja e numrit 36 në fanellë
Në vitin 2010, ai iu bashkua Akademisë së Baselit dhe katër vjet më vonë, në moshën 17-vjeçare debutoi në futbollin profesionist nën udhëheqjen e Murat Yakinit. Në atë kohë, Embolo nuk kishte pasaportë të Zvicrës. Ai e pranoi atë pak javë para se të debutonte për ekipin senior të përfaqësueses zvicerane, në mars të vitit 2015.
Embolo ishte i vendosur në Kleinbasel. Kur iu lejua që ta zgjidhte numrin te FC Baseli, ai nuk e mori numrin 36 në mënyrë të rastësishme. Autobusi për në Kleinhuningen, me të cilin sulmuesi udhëtonte vit pas viti në shkollë, shtëpi dhe në fushën e futbollit, e kishte numrin 36.
“Ky numër ka shumë kuptim për mua. Më jep fuqi dhe siguri. Dua që ta mbaj këtë numër në secilin klub”.
Tentimet e Samuel Eto’o për ta bindur
Federata e Futbollit e Kamerunit e kishte përcjellë Embolon herët, kur ai ende luante për ekipet e të rinjve. Ish-sulmuesi i klasës botërore, Samuel Eto’, tani president i Federatës së Futbollit të Kamerunit, personalisht ishte munduar ta bindte sulmuesin ta ndryshonte përfaqësuesen dhe ta ftonte për në Kupën e Botës 2014.
“E dija se me Kamerunin menjëherë do të luaja me ekipe të mëdha. Në anën tjetër ishte Zvicra – dhe nuk kisha garanci se do të mund të luaja për të rriturit në përfaqësuese”, kujton Embolo. Ishte “njëra prej vendimeve më të vështira të jetës sime”.
Embolo ishte vetëm 17-vjeçar kur vendosi të luante për Përfaqësuesen e Zvicrës. “Nuk ishte vendim kundër Kamerunit, ishte vendim për Zvicrën. Sepse ky shtet më ka dhënë çdo gjë. Të gjitha kujtimet janë nga Zvicra. Doja ta zgjidhja shtetin ku ndihesha rehat dhe si në shtëpi”.
Embolo nuk i ka harruar rrënjët.
“Duhej të hiqja dorë nga pasaporta kamerunase. Por, unë ende jam nga Kameruni”.
Goli që dhemb
12 vjet më vonë, Embolo ka zhvilluar 87 ndeshje në nivel të përfaqësueseve. Më e vështira ishte ndeshja hapëse e Kupës së Botës 2022 – kundër Kamerunit.
“Të gjithë sytë ishin tek unë. Gjatë intonimit të himnit, kisha lot në sy. Nuk e kisha përjetuar këtë që kur u lindën fëmijët e mi”.
Në atë moment, të gjitha emocionet u rikthyen. Embolo e kuptoi se po luante ndaj shtetit ku kishte lindur.
Dhe ndodhi ashtu siç ndodhi: Embolo e shënoi golin për 1:0 për Zvicrën, dhe ia siguroi fitoren përfaqësueses së tij. Sulmuesi nuk festoi dhe i kërkoi falje kundërshtarit. “Sërish kisha lot në sy, njësoj si gjatë intonimit të himnit”, kujton Embolo. “Për mua, ai është kulmi i karrierës”.
Pati kritika nga Kameruni, por edhe nga Zvicra, për gjestin e kërkimfaljes.
“Ndihesh si tradhtar, por edhe si hero. Kjo është gjëja e ndyrë e kësaj loje”.