Cristiano Ronaldo u ndëshkua me karton të kuq në disfatën që e pësoi Përfaqësuesja e Portugalisë të enjten nga Irlanda me rezultatin, 2:0.
Për superyllin Ronaldo ishte kartoni i parë i kuq me fanellën e Portugalisë, në paraqitjen e 226-të.
Mesfushori Bruno Fernandes të shtunën u paraqit në konferencë për shtyp para ndeshjes me Armenisë dhe deklaroi se Ronaldo e di që bëri gabim për kartonin e kuq.
“Ai e di që nuk ishte diçka që donte të bënte, por ndodhi, dhe e di që bëri gabim. Nuk do të mund të na ndihmojë nesër. Ne jemi përballur tashmë me Armeninë . Janë një ekip me lojtarë shumë cilësorë në mesfushë, një ekip shumë agresiv. Ne i dimë vështirësitë që mund të na shkaktojnë. Ajo që duhet të bëjmë është ta fitojmë ndeshjen, sepse kjo skuadër është mësuar të fitojë dhe duhet të vazhdojë kështu”, u shpreh mesfushori i Manchester Unitedit.
40-vjeçari Ronaldo mund të jetë jashtë fushës në dy ndeshjet e para të fazës grupore në Botërorin 2026 nëse Portugalia kualifikohet.
Portugalia të dielën nga ora 15:00 e pret Armeninë në ndeshjen e fundit kualifikuese për Botërorin 2026.
Portugalia i prin Grupit F me dhjetë pikë. Hungaria ka dy pikë më pak në pozitën e dytë.
Vendi i parë dërgon në Botëror, ndërsa i dyti në plejof.