Pas fyerjeve që një tifoz i bëri Vedat Muriqit në rrjetet sociale, një ditë pas humbjes 1:0 nga Turqia në finale të plejofit për Botërorin 2026 në “Fadil Vokrri”, ka reaguar Federata e Futbollit e Kosovës.
FFK-ja e ka përkrahur Muriqin dhe ka thënë se ai gjithmonë e jep më të mirën në fushë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kur kapiteni i Kombëtares, Vedat Muriqi, sulmohet me fyerje dhe gjuhë përçarëse, kjo nuk prek vetëm një lojtar por prek një simbol të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve që e ndjekin futbollin me krenari”, ka shkruar FFK-ja në reagimin e gjatë të mërkurën në mbrëmje.
Tutje FFK-ja ka theksuar se Vedat Muriqi e jep gjithmonë më të mirën në fushë dhe se përkushtimi dhe angazhimi i tij nuk matet vetëm me golat e shënuar, por “edhe me lidershipin, energjinë dhe shpirtin që vë në çdo përballje”.
Muriqi në nivel klubesh ka karrierë të pasur si futbollist. Karrierën e nisi te Liria e Prizrenit, ndërsa ka luajtur edhe për për Teutën e Besën në Shqipëri, Giresunsporin, Genclerbirligin, Rizesporin e Fenerbahçen në Turqi dhe Lazion në Itali.
Nga Lazio në fillim të vitit 2022 iu bashkua Mallorcas. Me Mallorcan është fare pranë për t’u bërë golashënuesi më i mirë i Mallorcas në La Liga. Ka thyer edhe shumë rekorde të tjera te kjo skuadër.
Aktualisht me 18 gola në La Liga, është golashënuesi i dytë më i mirë në elitën spanjolle pas Kylian Mbappes që i ka 24 gola të realizuar.
“Ofendimet dhe komentet fyese në rrjetet sociale nuk kanë vend në futboll dhe as në shoqërinë tonë. Nuk duhet të lejojmë që individë të tillë, fatmirësisht të paktë, të shpërfaqin negativitet, përçarje dhe urrejtje”, ka shkruar FFK-ja.
Muriqi ishte kapiten i Kosovës në ndeshjet e muajit mars, ndaj Sllovakisë në fitoren 4:3 dhe ndaj Turqisë të martën mbrëma, në mungesë të Amir Rrahmanit.
“Futbolli është më shumë se rezultat. Ai është mënyra si tregojmë se kush jemi dhe çfarë vlerash mbrojmë. Dhe Vedati, me punën dhe shpirtin e tij, na kujton çdo ditë se si duhet të jemi si komb, të bashkuar, të guximshëm dhe krenar për çdo arritje”, ka theksuar ndër të tjera FFK-ja.
Vedat Muriqi është bindshëm sulmuesi më i mirë i Kosovës. 31-vjeçari i ka 32 gola të shënuar në 68 ndeshje.