Miqësorja e së dielës me Çekinë në Pragë dhe ajo e 7 qershorit me Andorrën në Prishtinë, shënojnë etapën e parë të “fillimit të ri” të ekipit përfaqësueses të Kosovës në futboll.
Ndeshja e kaluar e Kosovës ishte ajo me Turqinë më 31 mars në Prishtinë, e humbur me rezultat 1:0. Ndonëse përfundoi pa realizuar synimin e madh – kualifikimin në Botëror – cikli i kaluar kualifikues ishte shumë i suksesshëm për “Dardanët”. Ndonëse e llogaritur autsajdere e grupit, Kosova u rendit e dyta. Mbeti pas Zvicrës, ndërsa la prapa Slloveninë dhe Suedinë. Kjo e fundit do të paraqitet në Botërorin që fillon më 11 qershor. Në gjysmëfinale të plejofit, Kosova fitoi 4:3 ndaj Sllovaksë në Bratislavë. Pengesa e fundit drejt Botërorit nuk u kalua, por cikli kualifikues megjithatë ishte i suksesshëm.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdër të tjera përzgjedhësi Franco Foda konsolidoi grupin e lojtarëve, rriti konkurrencën për secilën pozitë dhe bëri që mungesat, edhe ato të lojtarëve shumë të rëndësishëm, të mos vërehen.
Tani synim i madh i Kosovës është kualifikimi në Euro 2028. Deri te fillimi i kualifikimeve të rregullta, Foda dhe të përzgjedhurit e tij do të kenë teste me bollëk.
Pas miqësoreve me Çekinë dhe Andorrën, Kosova fillon kampanjën e radhës në Ligën e Kombeve. Për herë të parë do të jetë në Ligën B. Përfaqësuesja do t’i luajë në vjeshtë nga dy ndeshje me Irlandën, Austrinë dhe Izraelin.
Dhe vitin e ardhshëm pritet të jetë plotësisht gati për kualifikimet e rregullta.
Ndryshimet në ekip megjithatë nuk pritet të jenë të shumta, ndonëse në sport shumë gjëra mund të ndryshojnë brenda një viti.
Sulmi sërish pritet të ndërtohet rreth Vedat Muriqit e Fisnik Asllanit, ndërsa pas tyre aktualisht është Albion Rrahmani. Rilind Nivokazi është ftuar për grumbullimin që fillon të mërkurën dhe pritet të ketë rastin të dëshmohet. Nivokazi është ftuar për herë të parë.
Leon Avdullahu tashmë është lider i pakontestueshëm i mesfushës, ndërsa Elvis Rexhbeçaj llogaritet partneri i tij në qendër. Valmir Matoshi është emër i ri në këtë repart, ku rastin e kërkojnë edhe Veldin Hoxha, Lindon Emërllahu, Vesel Demaku e ndonjë tjetër.
Për pozitat e sulmuesve të krahut dhe mesfushorit ofanziv për dy miqësoret e radhës konkurojnë lojtarë si Edon Zhegrova, Ermal Krasniqi, Baton Zabërgja, Muharrem Jashari. Bersant Celina do të jetë në dispozicion për miqësoren e dytë, kurse në krah rastin pritet ta ketë edhe Dardan Shabanhaxhaj, emri tjetër i ri te “Dardanët”.
Kapiteni Amir Rrahmani është lënë i lirë për këtë grumbullim, njëjtë si Vedat Muriqi, lideri i sulmit.
Por figurë gjithnjë e më e rëndësishme e mbrojtjes është Albion Hajdari. Pos tij janë edhe Lumbardh Dellova, Ilir Krasniqi, Mërgim Vojvoda, Dion Gallapeni, si dhe të rinjtë Ron Raçi e Andi Hoti.
Me Aro Muriq e Amir Shaipin, por edhe me Visar Bekjan, porta vlerësohet goxha stabile.
Por Muriqit e Rrahmanit, në krahasim me grumbullimin e kaluar mungojnë edhe Kreshnik Hajrizi, Fidan Aliti, Florent Hadërgjonaj, Milot Rashica, Valon Berisha e Florent Muslija. Muslija është i lënduar.
Të tjerët më nuk llogariten startues. Nuk përjashtohet mundësia që ndonjëri prej tyre t’i jap fund karrierës ndërkombëtare, por është thuajse e qartë që pamja e Kosovës nuk do të pësojë shumë ndryshime.