Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Finale për Evropë dhe histori

Kupa e Kosoves

Një gjë është e sigurt. Ose Ferizaj, ose Dukagjini do ta fitojë për herë të parë në histori Kupën e Kosovës në futboll. Fitoren në finale të Kupës e synojnë të dyja ekipet.

Për Dukagjinin është hera e katërt që do të paraqitet në finale të Kupës, ndërsa për Ferizajn e treta që nga pavarësimi i futbollit kosovar në vitin 1991.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Dukagjini, në fakt ka qenë një herë pjesëmarrës në Evropë, ndërsa për Ferizajn do të ishte hera e parë në rast të fitores në finale të Kupës.

Federata e Futbollit e Kosovës ende nuk ka dalë me njoftim për datën e finales. Por klubi i futbollit Ferizaj gjatë ditës njoftoi se finalja do të zhvillohet më 21 maj në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Për Ferizajn nuk do të jetë e hapur vetëm gara për Kupë. Deri në fund të edicionit aktual, Ferizaj do të luftojë edhe për mbijetesë, ndërsa më të qetë janë te Dukagjini.

Ferizaj zë vendin e tetë me 33 pikë, përkatësisht të barazhit.

Dukagjini zë vendin e gjashtë me 38 pikë.

“Shpresoj që Dukagjini ta fitojë për herë të parë në histori trofeun e Kupës dhe të dalë në Evropë. Do të ishte nder dhe privilegj për mua që këtë sukses Dukagjini ta arrijë me mua si trajner. Shpresoj shumë që do të shkojnë gjërat siç duhet. Për mua, për karrierën time pas triumfit me Prishtinën, do të ishte një arritje e madhe, që për herë të dytë ta fitoj Kupën me klube të ndryshme. Kënaqësia nuk do të ishte vetëm e imja, por edhe e qytetit. Kam gjetur një ambient sportiv. Drejtuesit kanë dashuri të madhe për klubin, kështu që ajo pjesë është e kënaqshme. Dukagjini i ka kushtet e mira për punë. Ka një fushë me bari natyrat të mirëmbajtur dhe një fushë me bari artificial. E ka bërë të veten edhe karakteri i lojtarëve, të cilët kanë bërë maksimumin”, ka thënë trajneri i Dukagjinit, Arsim Thaqi.

Thaqi para pak javësh u emërua trajner i Dukagjinit. Gjatë këtij edicioni drejtoi edhe Prishtinën. Me Prishtinën, Thaqi fitoi Kupën e Kosovës edicionin e kaluar.

Synon ta fitojë për herë të dytë rresht me dy skuadra të ndryshme. Tani si trajner i Dukagjinit.

“Për mua është kënaqësi, edhe pse nuk e kam marrë në moment të mirë, pasi Dukagjini ka pasur ndeshje në udhëtim. Tri ndeshje i kemi pasur jashtë, plus ndeshja për Kupë kundër Ballkanit në udhëtim. Kemi humbur ndeshjen në kampionat nga Ballkani, por fituam për Kupë. Kemi fituar ndaj Gjilanit, ndërsa barazuam kundër Prishtinës në ‘Fadil Vokrri’ dhe së fundi për Kupë sërish ndaj Ballkanit, kemi treguar se Dukagjini e ka seriozisht garën për Kupë”, është shprehur Thaqi.

Dukagjini e eliminoi Ballkanin në gjysmëfinale të Kupës, ndërsa Ferizaj skuadrën e Llapit.

Kupa është rruga më e shkurtër për dalje në Evropë.

Këtë rrugë shpreson ta përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme Ferizaj.

Trajneri i Ferizajt, Arsim Abazi, ka thënë se fokusi është kthyer në kampionat pas triumfit në gjysmëfinale të Kupës. Por ai nuk e fsheh synimin e Ferizajt – fitoren në finale.

“Për ne janë dy gara të hapura. Qëllimi për t’u kualifikuar në finale u arrit. Por klubi ka synim edhe mbijetesën. Pas kalimit në finale, përqendrimi jonë është në kampionat. Kemi shumë finale para finales së Kupës. Është kënaqësi që kemi arritur deri në këtë pikë të Kupës. Është hera e tretë që Ferizaj kalon në finale. Secili ekip ka dëshirë ta fitojë finalen e Kupës dhe të paraqitet në Evropë. Ndeshja kundër Llapit në gjysmëfinale tashmë i takon së kaluarës, jemi të përqendruar maksimalisht në kampionat. Dihet pozita në të cilën jemi dhe çdo ndeshje për ne do të jetë finale”, ka thënë Abazi.

Abazi u rikthye së fundmi në krye të shtabit teknik. Por ai nuk e drejtoi ekipin e Ferizajt në ndeshjen kthyese kundër Llapit. Ditë më parë Abazi u largua nga Dinamo e Ferizajt.