Futboll

Flick kërkon vëmendje të veçantë ndaj Muriqit

Vedat Muriqi

Golat e Vedat Muriqit në këtë edicion të La Ligas janë bërë të zakonshëm. Ai ka shënuar plot 15 herë në elitën spanjolle të futbollit. Edhe ndaj ekipeve të mëdha spanjolle, sulmuesi i Kosovës ka qenë në disa raste i pandalshëm.

Muriqi shkëlqeu në janar duke shënuar pesë gola në katër ndeshje dhe e fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të muajit në La Liga. Këtë çmim e fitoi për herë të dytë në karrierë. Me gol e asistim, Muriqi e nisi edhe muajin shkurt. Ai shënoi e asistoi në fitoren 4:1 në “San Moix” ndaj Sevillas.

Tjetër paraqitje të mirë Muriqi synon të ketë të shtunën në ndeshjen që Mallorca e luan në udhëtim te Barcelona, nga ora 16:15. Ballafaqimi i takon xhiros së 23-të të La Ligas.

Në vitin 2023, Muriqi kishte shënuar e asistuar në barazimin 2:2 në shtëpi ndaj Barcelonës, ndërsa tjetër gol shënoi në vitin 2024 në disfatën 5:1 në shtëpi.

Para përballjes me Mallorcan, në konferencë për shtyp ka folur trajneri i “blaugranas”, Hansi Flick.

Tekniku gjerman e vlerësoi lartë sulmuesin e Kosovës, ndërsa ka theksuar se Muriqi në formë është në gjendje të shënojë në çdo moment.

“Shënimi i golave është i rëndësishëm, por edhe stili jonë i lojës ka rëndësi edhe më shumë. Kështu që duhet të jemi të fokusuar në çdo moment. Ne do të luajmë kundër Mallorcas që e ka Muriqin, i cili është duke kaluar sezon shumë të mirë. Dhe ne duhet të kemi vëmendje të veçantë ndaj tij”, ka deklaruar të premten në konferencën për shtyp Hansi Flick.

Derisa Barcelona po lufton për titull kampioni, Mallorca është duke luftuar për mbetje në elitë.

Barça është e para me 55 pikë, kurse Mallorca ka 24 pikë në vendin e 14-të.

Mallorca një numër të madh të pikëve i ka mbledhur falë formës së shkëlqyer të Muriqit.

Ai është në ndjekje të rekordit të Samuel Eto’os si golashënuesi më i mirë në histori të klubit në La Liga. Muriqi i ka 49 gola në La Liga, ndërsa Eto’o i ka 54.

Në listën e golashënuesve më të mirë të elitës spanjolle, vetëm Kylian Mbappe i Real Madridit, me 22 gola, është më lart se prizrenasi.

30-vjeçari Muriqi ka lënë prapa edhe futbollistë të njohur si Ferran Torres, Ante Budimir, Lamine Yamal, Robert Lewandowski, Mikel Oyarzabal, Raphinha e Julian Alvarez.