Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, është shprehur mjaft optimist për fitore në ndeshjen miqësore ndaj Norvegjisë më 5 qershor në Oslo.
Në konferencë për media të enjten, Foda ka thënë se ekipi është maksimalisht i motivuar për fitore ndaj ekipit nordik. Ka shtuar se kanë dashur gjatë kësaj periudhe t’i luajnë dy ndeshje, por për arsye të ndryshme kjo nuk ka qenë e mundur.
Kosova kishte planifikuar që në qershor të luante miqësore edhe me Bahrejnin, por shteti aziatik ishte tërhequr.
“Është parapërgatitje e mire ndeshja ndaj Norvegjisë për ndeshjet e Ligës së Kombeve që na presin. Kemi ekip të mirë, ekip të balancuar, jemi maksimalisht të motivuar që të fitojmë ndaj Norvegjisë. Është ndeshja e fundit t’i shohim disa përshtypje nga lojtarët para ndeshjeve të Ligës së Kombeve”, ka thënë ai.
Trajneri austriak ka bërë të ditur se nga lojtarët e ftuar vetëm portieri Arijanet Muriq nuk ka arritur në stërvitje.
“Muriq është i sëmurë. Në këto dy ditë do ta di saktë nëse do të jetë i gatshëm”, ka deklaruar Foda.
Shkaku i arsyeve shëndetësore apo lëndimeve, Foda ka thënë se nuk ka mundur të grumbullojë edhe disa lojtarë, siç është Milot Rashica, Florent Muslija, Donat Rrudhani e Ismajl Beka. Rashica, siç ka thënë trajneri, është operuar në krah.
Në listë, siç ka bërë të ditur Foda, ka qenë edhe Ismet Lushaku e Kreshnik Krasniqi, të cilat nuk janë liruar nga klubet e tyre, Suedi përkatësisht Norvegji, aty ku po luhet kampionati i rregullt. I ftuar në atë që e ka quajtur "lista e gjerë", 58-vjeçari e ka përmendur edhe emrin e Emir Sahitit.
Trajneri i Kosovës ka zbuluar se Donis Avdijajn që luan te Hartbergu nuk e ka ftuar për shkak se ka disa mosmarrëveshje mes tij dhe Federatës së Futbollit (FFK). Ai ka thënë se pas ndeshjes me Norvegjinë do të mendojë për këtë situatë.
“Avdijajn e njoh më herët, në ekipet e Zvicrës. Ka pasur disa mosmarrëveshje me Federatën dhe derisa t’i sqarojmë mbetet kështu. Nuk mund të përgjigjem [se çfarë mosmarrëveshje] sepse kjo ka ndodhur para se të vija unë. Pas kësaj periudhe, do të kemi kohë të mjaftueshme të mendojmë për këtë situatë”, ka thënë Foda.
LEXO EDHE: