Kulturë

Botuesit e Shqipërisë i kërkojnë shtetit t’i fuqizojë politikat për librin

Rregullimi i librit elektronik

Rregullimi i librit elektronik, nxitja e leximit duke e cilësuar atë interes publik, mostjetërsimi i fondeve për librin në bashki, harmonizim me praktikat evropiane, mbështetje e botuesit, janë disa prej kërkesave për ndryshimin e Ligjit për librin në Shqipëri

Një qendër autonome e librit dhe leximit me më shumë buxhete dhe me zyra të denja, mekanizma detyrues dhe ndëshkues, një drejtori e dedikuar në ministri për librin, leximin e bibliotekat, më shumë buxhete e subvencione, janë kërkesat që kanë shtruar botuesit e Shqipërisë në nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për librin, në seancën dëgjimore në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Aty parashihen mes tjerash edhe rregullimi i librit elektronik, nxitja e leximit duke e cilësuar atë interes publik, mostjetërsimi i fondeve për librin në bashki, harmonizim me praktikat evropiane, mbështetjen e botuesit e të tjera.

Vetë botuesit e pranishëm kanë pasur kritika, herë për paqartësi e herë për mungesë vizioni. Mungesa e një regjistri të botuesve dhe detyrimi për kopje për Bibliotekën Kombëtare, kanë qenë mes vërejtjeve, si edhe kopjet elektronike.

“Dorëzimi i librit elektronik, t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë. Nuk e dorëzojmë. Botuesi vë në lëvizje tërë sistemin, ligji nuk njeh botuesin si subjekt”, ka thënë kreu i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, në takimin e mbajtur të mërkurën.

Një tjetër botues e ka nisur kritikën me qasjen ndaj librit e Bibliotekës Kombëtare, ndërsa ka pasur kritika edhe për programet shkollore.

“Emri i Institutit Italian të Kulturës më i madh se ai i Bibliotekës Kombëtare. As Italia fashiste s’ka guxuar të vërë zyrat mbi Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. Dhe ajo hapësirë t’i jepet librit shqiptar, s’ka ndodhur kurrë në botë që Biblioteka Kombëtare të bëjë apel për kuti bananesh për të futur librat e vet. TVSH-ja e librit nuk sjell para për shtetin, por ka shkatërruar librin shqip se e keni shkatërruar. Bëni ligje sa të doni, e keni shkatërruar”, ka thënë botuesi Bujar Hudhri.

“Kurrikula shkollore është e mangët. Lista e letërsisë së rekomanduar është ku thërret qameti, me libra që mund t’u shkojnë fëmijëve”, ka thënë Arlinda Dudaj.

Për deputeten e PD-së, Ina Zhupa, kryetare e komisionit parlamentar, problemet janë disa dhe synimi i dëgjesës është adresimi i tyre.

“TVSH-në e librit ma kanë përmendur shumë grupe interesi dhe shteti në vend që të japë, merr. Nga ana tjetër, si prind, shoh që çmimi i librit është i lartë kur flasim për 15, 20-25 mijë lekë të vjetra për librin, kur dimë që 45 për qind e popullsisë është e varfër”, citohet të ketë thënë Zhupa.