Federata Shqiptare e Futbollit e kishte vlerësuar historik vendimin e UEFA-s për të organizuar së bashku me Federatën e Futbollit të Serbisë, Kampionatin Evropian U21 të vitit 2027.
Në shkrimin e publikuar në shkurt, FSHF-ja ishte munduar maksimalisht që të shmangë përmendjen e Serbisë. Serbinë e kishte përmendur vetëm në një deklaratë të presidentit, Armando Duka.
Edhe të mërkurën, në njoftimin e radhës të FSHF-së është shmangur përmendja e Serbisë.
FSHF-ja njoftoi se UEFA ka kryer vizitë inspektuese në stadiumet, terrenet stërvitore dhe hotelet ku pritet të akomodohen ekipet pjesëmarrëse.
“Përshtypja e përgjithshme e inspektorëve të UEFA-s ishte pozitive, ndërkohë që paralelisht janë vizituar edhe 28 hotele, si dhe 21 qendra stërvitore, të cilat do të vlerësohen nga UEFA”, shkruan në njoftimin e FSHF-së.
Shtëpia shqiptare e futbollit ka bërë të ditur se UEFA ka planifikuar në mars të vitit të ardhshëm tjetër vizitë.
“Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s vendosi në shkurt të këtij viti që Shqipëria të jetë një nga vendet organizatore të Kampionatit Evropian U21 të vitit 2027. Ky turne, i cili do të zhvillohet në qershor të vitit 2027, do të përfshijë 16 skuadra që përfaqësojnë talentet më të spikatura të futbollit të moshave në Evropë, mes tyre edhe lojtarë që tashmë aktivizohen në ligat më të mira të kontinentit”, shkruan në fund të njoftimit.
Pra, FSHF i është shmangur Serbisë si bashkorganizatore e Evropianit.