Futbollisti i Gjilanit, Oltion Bilalli, është në gjendje stabile aktualisht, ndonëse ende është në mjekim intensiv, ka njoftuar QKUK-ja.
“Njëherë për një herë është në gjendje stabile”, ka thënë shkurtimisht për KOHËN drejtori i Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv Qendror, Gazmend Spahiu.
23-vjeçari pësoi gjakderdhje të brendshme në kokë në ndeshjen ndaj Malishevës. Në minutat e fundit të takimit, Bilalli u godit në një dul me portierin e Malishevës, Ilir Avdyli.
Klubi gjilanas dhe Federata e Futbollit të Kosovës dje dolën me njoftim, ku thanë se futbollisti është jashtë rrezikut për jetë dhe do të jetë në mbikëqyrjen e mjekëve.