Futboll

Guardiola nuk ndalet: Pse të mos shprehem se si ndihem?

Pep Guardiola

Pep Guardiola ka mbrojtur vendimin e tij që të flas për konfliktet nëpër botë, duke pyetur “pse të mos e shpreh atë që e ndiej, vetëm pse jam trajner?”.

Të martën trajneri i Manchester Cityt ka thënë se dëshiron ta shfrytëzojë pozitën e tij “që të flas për një shoqëri më të mirë”. Në konferencë për shtyp ai kishte folur për “dhembjen” që ndien për viktimat e konflikteve nëpër botë. Ndër të tjera, kishte folur edhe për gjenocidin në Palestinë.

Ai mori lëvdata të shumta për fjalimin pasionant në mbrojtje të viktimave nëpër botë. Por kishte edhe të tillë që e kritikuan. Për shembull udhëheqës të komunitetit hebre e kanë këshilluar spanjollin “që të fokusohet në futboll” dhe të jetë “më i kujdesshëm në gjuhën e tij në të ardhmen”.

Por 55-vjeçari nuk është zmbrapsur kur i është kërkuar që të përgjigjet në këto komente.

“Të jem i sinqertë, nuk kam thënë asgjë të veçantë. Nuk ndihem ashtu”, ka thënë Guardiola të premten.

Javën e kaluar Pep Guardiola mbajti një fjalim në përkrahje të fëmijëve palestinezë në një ngjarje humanitare në Barcelonë. Dhe të martën e shfrytëzoi konferencën për shtyp para ndeshjes me Newcastlen për të folur për fëmijët që po vriten dhe po plagosen në zonat e konfliktit nëpër botë. Njëri prej trajnerëve më të mirë në botë ka thënë se pamjet që i sheh e lëndojnë shumë.

Ai kishte përmendur Palestinën, Ukrainën, Sudanin dhe madje edhe të shtënat e fundit nga agjentët e Imigracionit dhe Doganave në SHBA.

“Pse të mos shprehem se si ndihem? Vetëm pasi jam trajner? Nuk pajtohem, por i respektoj të gjitha opinionet. Ajo që thashë në thelb është se sa konflikte janë tani në gjithë botën? Sa? Shumë, i dënoj të gjitha. Nëse vriten njerëz të pafajshëm, unë i dënoj të gjitha konfliktet dhe nuk bëj selektim se njëri është më i rëndësishëm se tjetri, apo që njëri vend është më i rëndësishëm se tjetri”, ka theksuar Guardiola.

Ai nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga përkrahja publike për viktimat.

“Nëse e kuptoni mesazhin tim, në rregull. Nuk mund të them ndryshe. Duke qenë i përfshirë në futboll, mos fol për atë apo atë. Kjo është arsyeja pse bota hesht. Kjo është ajo që dëshiron bota, apo jo? Hesht, mos thuaj asgjë. Mendoj se është plotësisht e kundërta, por gjithsesi është ajo që është”, ka thënë Pep Guardiola.