Pas vendimit të Leon Avdullahut për ta përfaqësuar Kosovën në nivelin ndërkombëtar, në Zvicër kanë nisur të frikësohen edhe për largimin e qendërmbrojtësit Albian Hajdari. Kanë arsye të shqetësohen, pasi vetë mbrojtësi i ri i Hoffenhemit ka thënë se nuk ka marrë ende vendim definitiv se për cilën përfaqësuese të futbollit do të luajë në të ardhmen.
Ai të martën në një intervistë për KOHËN ka theksuar se fokusin e ka te Hoffenheimi, klubit të cilit iu bashkua të hënën.
“Situata është e hapur për mua. Unë ende i kam mundësitë për Zvicrën dhe Kosovën. Por për momentin jam i fokusuar te Hoffenheimi. Kam dëshirë ta kem kohën time, të përshtatem mirë këtu dhe pastaj të marrë vendimin definitiv”, ka thënë Hajdari.
Hajdari thotë se ende nuk ka marrë ndonjë njoftim nëse do të jetë pjesë e listës së Zvicrës për dy ndeshjet e para kualifikuese të Kupës së Botës 2026.
Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, do ta publikojë të enjten listën e lojtarëve për ndeshjet kundër Kosovës dhe Sllovenisë. Kundër Kosovës, Zvicra luan më 5 shtator, kurse më 8 shtator luan ndaj Sllovenisë. Të dyja ndeshjet i luan në Basel.
“Ende nuk kam ndonjë njoftim për thirrje, por edhe nëse do të ishte ashtu unë do të kërkoja të mbetesha në klub, sepse dua të integrohem mirë këtu dhe të përgatitem për të ardhmen”, është shprehur Hajdari.
Në Federatën e Futbollit të Kosovës kanë thënë se me Hajdarin ka disa vjet që janë në bisedime.
Hajdari u lind në Binningen të Zvicrës, ndërsa rrënjët i ka nga Kamenica. Ai ka debutuar në mars për Zvicrën A kundër Luksemburgut, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar ishte i grumbulluar për ndeshjet e Ligës së Kombeve, kundër Serbisë dhe Spanjës. Por, nuk luajti. Dhe pasi nuk ka zhvilluar ndeshje garuese, e ka ende të drejtën e ndryshimit të përfaqësueses.
Mbrojtësi 22-vjeçar u transferua nga Lugano e Zvicrës te klubi i Bundesligës gjermane, Hoffenheim. Bundesliga është njëra prej pesë ligave më cilësore në botë dhe dukshëm e nivelit më të lartë se elita helvetike.
Ai ishte ndër më të dalluarit në kampionatin elitar të Zvicrës.
Te Hoffenheimi janë edhe Fisnik Asllani e Leon Avdullahu. Asllani ka kohë që është pjesë e Kosovës, ndërsa të hënën “Dardanëve” iu bashkua edhe Avdullahu.
“Do ta kemi më të lehtë që jemi tre futbollistë shqiptarë”, është shprehur mbrojtësi shtatlartë.
Hoffenheimi e ka nisur mbarë edicionin e ri. Fitoi 4:0 ndaj Hansa Rostockut në ndeshjen për Kupë e më pas 2:1 ndaj Bayer Leverkusenit në udhëtim në ndeshjen hapëse të Bundesligës.
Më 30 gusht Hoffenheimi e pret Eintracht Frankfurtin. Për Hajdarin mund të jetë ndeshje debutuese.
“Unë dua ta jap 100 për qind e pastaj është gjithçka e hapur. Jam shumë i kënaqur për hapin që kam marrë”, ka thënë ai.
Krahas Baselit, Hajdari ishte edhe te Juventusi. Luajti për grupmoshat e reja të ekipit të madh italian. Te Lugano ishte prej vitit 2022.