Futboll

Ibrahimoviqi kosovar mund të huazohet sërish

Arijon Ibrahimoviq

Mesfushori me tipare sulmuese e me prejardhje nga Kosova, Arijon Ibrahimoviq, është zhvilluar si futbollist te të rinjtë e Nurnbergut, para se të kalonte te ata të Greuther Furthit e Bayern Munichut. 

Destinacioni i radhës për 19-vjeçarin mund të jetë pikërisht Nurnbergu, që bën gara në kategorinë e dytë të futbollit gjerman, ka raportuar të mërkurën mediumi gjerman “Bild”. 

Ibrahimoviqi ka qenë i huazuar edhe te Frosinone në Serie A, ndërsa së fundmi ishte te Lazio. Lazios iu bashkua në fillim të këtij viti, por periudha e tij te skuadra laciale nuk ishte e suksesshme. 

Ai i pati vetëm 19 minuta lojë me Lazion në dy ndeshje, një në Serie A dhe një në Kupën e Italisë. Për këtë arsye, Lazio nuk e ka shfrytëzuar opsionin e blerjes përfundimtare të tij. 

Sipas “Bildit”, kalimi i Ibrahimoviqit te Nurnbergu mund të jetë vendimtar edhe për shkak të lidhjes që futbollisti e ka me trajnerin e kësaj skuadre, Miroslav Klose. 

Ibrahimoviqi ka punuar me Klosen sa ishte te Bayerni U17. 

Ibrahimoviqi me Bayern Munichun ka kontratë deri më 30 qershor të vitit 2027. 

Ai ka luajtur për grupmoshat e Gjermanisë, por ende nuk ka paraqitje në nivelin senior.