Momentet heroike të Interit ndaj Barcelonës e bëjnë humbjen rekorde të finales së Ligës së Kampionëve ndaj Paris Saint-Germainit edhe më zhgënjyese për “nerazzurrët”.
Interi bëri një rikthim të pabesueshëm për ta mposhtur Barçën me rezultatin e përgjithshëm 7:6, në dy ndeshjet e jashtëzakonshme gjysmëfinale.
Por nuk kishte asnjë shenjë të atij guximi apo besimi të shtunën në Munih, ku PSG-ja shënoi fitore 5:0. Është fitorja me dallimin më të madh të golave në finale të kupës evropiane.
“Kjo nuk duhet të errësojë edicionin që kemi pasur. Thjesht duhet të mendoni për udhëtimin që kemi bërë në Ligën e Kampionëve”, ka thënë presidenti i Interit, Giuseppe Marotta. Ekipi i tij e eliminoi edhe Feyenoordin dhe Bayernin në fazën nokaut.
Për Interin ishte humbja e dytë në finale në tri vjetët e fundit. Kishte humbur edhe finalen e vitit 2023 nga Manchester City në Lisbonë.
Pasi e kaloi Bayernin në çerekfinale, Interi e synonte tripletën. Por u mposht nga rivali i qytetit, AC Milan, në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Më pas e humbi për një pikë garën për “scudetto” nga Napoli. Gara në Serie A u vendos në xhiron e fundit.
“Imazhi që mbetet e zbeh pak edicionin e shkëlqyer që kemi pasur”, ka thënë mesfushori Nicolo Barella, pas zhgënjimit në finalen e Munihut.
“Për fat të keq, në jetë, njëjtë si në futboll, ajo që ndodh në fund është ajo që mbetet”, ka shtuar Barella.
Përshtypja e fundit është për një skuadër që thjesht nuk arriti të përballonte intensitetin e hershëm të PSG-së. Lojtarët e Parisit dukeshin më në formë dhe më të uritur. Lojtarët e Interit e humbën topin në pasime që nuk shkonin ku duhej.
Portieri i Interit, Yann Sommer, e nxori topin nga rrjeta dy herë në fillim të ndeshjes. Nuk ishte befasi kur Achraf Hakimi shënoi ndaj ish-skuadrës. Hakimi nuk festoi, por tifozët e Parisit po. Por festa veçse kishte filluar.
Desire Doue shënoi dy herë, Khvicha Kvaratskhelia la shenjën e tij, ndërsa Senny Mayulu e kompletoi shpartallimin e ekipit italian, tre minuta pas aktivizimit.
“Parisienët ishin më të fortë se ne në çdo gjë. Në aspektin taktik, në përkushtim, e kanë dashur më shumë, kështu që duhet t’i përgëzojmë”, ka vazhduar Barella. “Ndonjëherë ndodhin goditje të tilla. Por duhet të reagojmë dhe të angazhohemi që ta dërgojmë Interin aty ky e meriton”.
Marcus Thuram kishte shanset më të mira të Interit. Ai iu afrua golit me një gjuajtje me kokë në pjesën e parë. Në pjesën e dytë detyroi një pritje të mirë nga Gianluigi Donnarumma, që në përgjithësi ishte pa punë.
Nuk kishte asnjë rikthim, asnjë “remontada” spektakolare si kundër Barcelonës.
“Nuk luajtëm finale të shkëlqyer”, ka pranuar trajneri i Interit, Simone Inzaghi.
“Megjithatë i kam falënderuar lojtarët për këtë sezon dhe jam krenar që jam trajner i tyre. Është zhgënjyese, por nuk e mohon atë që kemi bërë”.
Inzaghi tha se është shumë herët për të folur për të ardhmen e tij si trajner. Ekipi i tij luan në Kupën e Botës për Klube në SHBA, pak javë më pas.
Barella ka përmendur arritjen në dy finale brenda tri edicioneve dhe tejkalimin e pritjeve në stinorët e fundit.
“Kishim shumë ndeshje, si kundër Bayernit, si kundër Barcelonës, ku thamë se zemra kishte dukshëm më tepër rëndësi se taktika. Për fat të keq këtë herë na mungoi një kualitet i rëndësishëm”, ka thënë Barella.