Interi mposhti një skuadër të jashtëzakonshme të Barcelonës për të arritur në finale të Ligës së Kampionëve. Trajneri Simone Inzaghi ishte i impresionuar nga kundërshtari, por thotë se nuk do t’i ndërronte lojtarët e tij me askënd tjetër.
Pas dramës në ndeshjen e parë, që përfundoi 3:3, ishte vështirë e besueshme se ndeshja e dytë mund të jetë edhe më interesante. Por dy ekipet ofruan futboll të jashtëzakonshëm për 120 minuta. Sërish rezultati ishte 3:3 pas kohës së rregullt, ndërsa në vazhdime Interi shënoi për 4:3 dhe për vend në finale.
“Duhet të urojmë edhe Barcelonën, që është një ekip vërtet i fortë”, ka thënë Inzaghi.
“Është dashur të jetë një super Inter. Duartrokitje për këta djem. Kemi ofruar dy paraqitje të mahnitshme. Jam i lumtur që jam trajner i këtyre lojtarëve. Ata dhanë çdo gjë që kishin. Është e drejtë që festuan suksesin në këtë stadium”, ka shtuar tekniku italian.
Interi kishte epërsi prej dy golash pas pjesës së parë. Por Barcelona u kthye në pjesën e dytë dhe kaloi në epërsi 3:2. Për tifozët e Barcelonës është dukur “vjedhje” e fitores kur Francesco Acerbi barazoi në minutat shtesë. Davide Frattesi më pas shënoi në vazhdime për festën e çmendur të tifozëve vendas.
“Kishim disa probleme, por me zemrën tonë kemi kaluar çdo pengesë”, ka thënë Inzaghi.
“Kemi provuar të luajmë për fitore, me armët dhe kualitetin që kemi. Pas ndeshjes së parë kishim në kokë planin e ndeshjes. Por pa sakrificë dhe pa ndihmën e të gjithëve nuk mund të bësh këtë”.
Inzaghi ka parë shumë cilësi te Barcelona dhe jo vetëm te supertalenti 17-vjeçar Lamine Yamal. Ai mori shumicën e lëvdatave pas ndeshjes së parë.
“Ka pasur shumë diskutime për Yamalin. Kam parë një lojtar tjetër të jashtëzakonshëm që është Frenkie de Jong. Më ka impresionuar në nivel me Yamalin. Ka larguar çdo top të dytë. Nuk do të ndërroja lojtarët e mi me askënd në botë, por kam parë shumë individë pos Yamalit”.
Mesfushori 25-vjeçar Davide Frattesi ishte hero në “Giuseppe Meazza”, ndërsa kishte shënuar gol të vonshëm edhe në ndeshjen çerekfinale në Gjermani ndaj Bayernit, që doli të jetë vendimtar për kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 5:4.
“Është e pabesueshme, nuk di çka të them. Pas Munihut nuk kam menduar se do të përjetojë të njëjtat emocione. Sonte ndodhi e pabesueshmja. Nuk më është dhënë ndonjë talent i jashtëzakonshëm, por gjithnja isha i fundit që dorëzohesha dhe i pari që besoja. Te rezultati 3:3 thashë që do të kalojmë. Hyra si zëvendësues, por ishte sikur të luaja 120 minuta”, ka thënë Frattesi.
Interi tani i kthehet garës për titull në Serie A, para se të paraqitet në finalen e madhe evropiane në fund të muajit.