Futboll

Ish-kampioni i botës pret që Xhaka të sjellë mentalitetin e duhur te Milani

Granit Xhaka

Kalimi i Granit Xhakës te Milani po bëhet gjithnjë e më i mundshëm. Bisedimet e drejtuesve të klubit italian me drejtuesit e Bayer Leverkusenit janë duke u zhvilluar, ndërsa Xhaka është pajtuar për kalim te gjiganti italian.

Në Itali po bëhen gati për ta pritur 32-vjeçarin, që vlerësohet lart për punën që e bën në mesfushë.

Ish-kampioni i botës me Italinë, Fulvio Collovati, mezi pret që marrëveshja të finalizohet. Ish-mbrojtësi i Milanit ka fituar Botërorin në vitin 1982. 68-vjeçari është analist televiziv për kohë të gjatë.

“Blick” e ka pyetur Collovatin nëse Xhaka është njeriu i duhur për Milanin.

“Nëse Massimiliano Allgeri e dëshiron atë, atëherë kjo është garanci”, është përgjigjur italiani.

Milani është në proces të ndryshimit të madh, ndërsa Luka Modriq tashmë ka arritur marrëveshje për t’iu bashkuar kësaj skuadre. Igli Tare është emëruar drejtor sportiv dhe ka nisur furishëm te Milani.

“Edicioni i kaluar ishte katastrofal, duke përfunduar në vendin e tetë. Gjërat vështirë mund të bëhen më keq. Ajo që dihet është se çka duhet të sjellë Xhaka në ekip – mentalitetin e duhur. Për më tepër ai është lojtar i klasës ndërkombëtare që më ka impresionuar sa herë që kam komentuar ndeshje të tij në dy vjetët e fundit te Bayer Leverkuseni”, ka shtuar Collovati, që ka luajtur edhe për Interin, Udinesen, Roman e Genoan. Për Italinë i ka luajtur 50 ndeshje.

Ai pret që Milani në edicionin e ardhshëm të jetë në top-katër të Serie A dhe të kualifikohet në Champions.

Ka të tillë që e përmendin moshën e Modriqit dhe Xhakës.

“Nuk jam shumë i interesuar për moshën. Nëse dikush mund të luajë futboll, nuk brengosem nëse është 38, 39 apo 40-vjeçar. Nëse Modriqi dhe Xhaka e veshin fanellën e Milanit edicionin e ardhshëm, do të jetë mesfushë e një kualiteti të madh. Dikush tjetër duhet të ofrojë gjallërinë e nevojshme. Ndoshta një tjetër lojtar nga Zvicra, Ardon Jashari. Ka raportime edhe për të”, ka thënë Collovati.

Jashari po ashtu po kërkohet nga Milani. Por Club Brugge kërkon mbi 30 milionë euro për mesfushorin e shkëlqyer. Mbetet të shihet nëse Milani mund të mbulojë këtë shumë.