Ardon Jashari ishte një nga transferimet më të shtrenjta të Milanit në vitet e fundit. Por ai ende nuk ka fituar rolin e titullarit tek ekipi kuqezi.
Megjithatë, Jashari është duke mësuar shumë te Milani, sidomos me punën e përbashkët që po bën me yllin kroat, Luka Modriq.
“Me Modriqin në skuadër, është e vështirë për Jasharin të ketë shumë paraqitje si titullar. Megjithatë, Jashari duhet ta shfrytëzojë prezencën e Modriqit te Milani, duke mësuar sa më shumë të jetë e mundur nga një kampion si ai”, shkruan të martën mediumi i afërt me klubin italian, “Sempre Milan”.
Jashari 23-vjeçar, iu bashkua Milanit verën e kaluar nga Club Brugge për 36 milionë euro.
Ai në fillim të këtij edicioni pësoi lëndim që e la gjatë jashtë fushave.
Për Milanin ka luajtur 205 minuta në Serie A.