Fituesi i Kupës së Botës me Francën, N’Golo Kante, është ftuar sërish për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026 ndaj Ukrainës dhe Azerbajxhanit.
Kante paraqitjen e 64-t me “Les Bleus” e pati në nëntorin e vitit të kaluar, në barazimin pa gola me Izraelin.
Mesfushori i gjithanshëm tani luan tek Al Ittihadi në Arabinë Saudite.
“Ai është në nivelin më të lartë”, ka thënë përzgjedhësi Didier Deschamps të enjten, pasi e publikoi listën me 24 futbollistë.
“Kur e ftova, nuk ishte për ta bërë atë të ndihet se është pjesë e grupit, por për t’i dhënë rol të rëndësishëm”.
Franca është lidere e Grupit D dhe mund ta sigurojë Botërorin e vitit të ardhshëm nëse fiton ndaj vendit të dytë të grupit, Ukrainës.
Ndeshja luhet më 13 nëntor në “Parkun e Princave”.
Tre ditë më vonë, Franca luan në Baku ndaj Azerbajxhanit.
Në listën e Deschampsit mungojnë sulmuesit e Paris Saint-Germainit, Desire Doue dhe Ousmane Dembele, shkaku i lëndimeve.
Por, ai mund të llogaris në shërbimet e Randal Kolo Muanit të Tottenhamit e Kylian Mbappes së Real Madridit.