Futboll

Futbollistet e Kosovës mposhten thellë nga Turqia

Kosova futboll femrat

Kosova është thuajse pa gjasa për kthim në Ligën B të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Të premten mbrëma në “Fadil Vokrri”, futbollistet e Kosovës u mposhtën thellë, 4:0, nga Turqia.

Ishte kjo ndeshja e parë e plejofit për Ligën B në Ligën e Kombeve. Ndeshja e kthimit është pas katër ditësh në Izmir, ndërsa rezultati i ndeshjes së parë e bënë sfidën në Turqi pa shumë vlerë.

Përfaqësuesja më e suksesshme pas dy ndeshjeve luan në Ligën B në kampanjën e ardhshme, ndërsa përfaqësuesja humbëse luan në Ligën C.

Futbollistet e Turqisë herët i dhanë fund dilemës së fituesit.

Kader Hançar shënoi që në minutën e pestë për 1:0. E njëjta futbolliste realizoi golin e dytë në minutën e dhjetë. Hançar në minutën e 23-të asistoi për Melike Pekel, që e shënoi golin për 3:0. Pekel asistoi për 2:0.

Busem Sheker e vendosi rezultatin përfundimtar 4:0, në minutën e 81-të.

Në edicionin e kaluar të Ligës së Kombeve, Kosova ishte në ligën C, që është niveli i tretë. Përfundoi e dyta në grup, pas Letonisë dhe para Maqedonisë së Veriut. Si e dyta në grup siguroi plejofin. Turqia ishte e treta në grup në Ligën B të Ligës së Kombeve. Mbeti prapa Sllovenisë e Irlandës, ndërsa la prapa Greqinë. Dhe i duhet përmes plejofit ta konfirmojë vendin në Ligën B, gjë që thuajse e ka bërë.


Kosova po pëson thellë pas pjesës së parë

Futbollistet e Kosovës po pësojnë thellë pas pjesës së parë në ndeshjen ndaj Turqisë.

Turqia ka shënuar gola të shpejtë dhe është në epërsi 3:0, në ndeshjen e parë të plejofit për kualifikim në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Ndeshja po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kader Hancer në miuntën e pestë dhe të 10-të shënoi për 2:0, ndërsa golin e tretë e realizoi Melike Pekel. Asistuese ishte Hancer.