Mesfushori Ardon Jashari është kthyer në Milano pas qëndrimit të shkurtër në Zvicër, ku vazhdoi rikuperimin nga lëndimi që e pësoi në gusht në një duel me Santiago Gimenezin në stërvitje.
Jashari u bë një nga transferimet më të shtrenjta të Serie A gjatë afatit kalimtar të verës. Kaloi te Milani për 37 milionë euro nga Club Brugge. Para lëndimit ai kishte luajtur vetëm 40 minuta në dy paraqitje si zëvendësues për Kupë të Italisë dhe në Serie A.
Ishte raportuar se Jashari do të mungonte dy deri në tre muaj.
Siç qëndrojnë gjërat, Jashari synon rikthimin në fushë në nëntor. Mesfushori ishte i pranishëm në stadium për ta përcjellë nga afër ndeshjen që Milani e fitoi 3:0 ndaj Lecces, të martën.
Ai ka folur shkurt pas pyetjes së një gazetari italian. Përgjigja ishte pozitive për gjendjen e tij.
“Mirë, më mirë, më mirë”, ka thënë Jashari, i cili dukej i buzëqeshur.
Te Milani presin shumë nga mesfushori i Zvicrës. Ai me Milanin ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2030.